Ish-Drejtori-Kallëzim Penal ndaj Gazmend Muhaxherit

Hysni Selmanaj, ish-drejtori i Auditorit të Brendshëm në Pejë thotë se ka ngritur kallëzim penal ndaj Gazmend Muhaxherit.

Hysni Selmanaj që kishte denoncuar në prokurori keqpërdorime në Komunën e Pejës në vitin 2015 kur kryente detyrën e drejtorit të Auditorit të Brendshëm thotë se ka ngritur kallëzim penal ndaj Gazmend Muhaxherit, ngase ai nuk po e kthen në punë.

NDËRLIDHUR

Kallëzimin penal ndaj Kryetarit të Pejës ish-drejtori i auditimit Selmanaj thotë se e ka ngritur për arsyen se sipas tij Gazmend Muhaxheri nuk po i zbaton vendimet e gjykatave për ta kthyer në punë, pas suspendimit para dy vjetësh.

“Nuk respekton ligjin, nuk respekton vendimin e gjykatës themelore, nuk e respekton vendimin e Gjykatës së Apelit që është i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm që unë të kthehem në vendim tim të punës ku kam qenë si drejtor i Auditorit të Brendshëm,” tha Selmanaj për Muhaxherin kur foli për KALLXO.com.

Për suspendimin e Selmanajt KALLXO.com kishte shkruar në prill të vitit 2015, ndërsa këtë suspendim atëherë Komuna e Pejës e kishte arsyetuar me performancë të dobët të punës dhe kërcënim që sipas zyrtarëve komunalë Selmanaj i kishte bërë drejtorit të financave.

Komuna e Pejës Suspendon Denoncuesin e Dyshimeve për Keqpërdorime

Në lidhje me kallëzimin penal që Selmanaj thotë se e ka ngritur ndaj Gazmend Muhaxherit, KALLXO.com kontaktoi shefin e kabinetit të Kryetarit të Pejës, Durim Sheremetin.

Sheremeti sigjeroi që për këtë çështje të kontaktohet Besnik Berisha, avokati i Muhaxherit.

“As unë, as z.Muhaxheri nuk kemi pranuar nga prokuroria ndonjë kallëzim penal lidhur me këtë çështje,” tha avokati Besnik Berisha për KALLXO.com.

Selmanaj tha Komuna e Pejës dhe kryetari i saj janë gjobitur për shkak se nuk po e kthejnë në punë.

“Prej periudhës 24/03/2016 vetëm një vendim ndëshkues e ka dërguar në Komunën e Pejës. 1000 euro e ka dënuar komunën për moszbatim të vendimeve gjyqësore, 500 euro kryetarin e ka dënuar. Të njëjtit kanë pasur të drejtë ligjore të ankohen në Gjykatën e Apelit dhe ajo e ka kthyer vendimin si të plotfuqishëm,” tha Selmanaj.

Ish-drejtori i auditimit tha se pas vendimeve të gjykatave themelore e të apelit u kthye në vendin e tij të punës, por ai iu ndërrua.

“Kam pretenduar me shku në komunë, mu ka bërë e mundur vetëm një ditë kam shkuar. Të nesërmit ma ka përpiluar një vendim kundërligjor, me ketë vendim është marrë edhe gjykata e apelit e cila e ka hedhë poshtë se nuk ka drejtë ligjore në bazë të Ligjit të Shërbyesve Civilë, edhe në bazë të Ligjit të Punës me ma ndërruar vendin e punës pa dashje,” tha Selmanaj.

Ndërrimin e vendit të punës së Selmanajt e konfirmoi për KALLXO.com edhe Besnik Berisha, avokati i Gazmend Muhaxherit, duke thënë se Selmanajt nuk iu prek paga me këtë transferim.

Berisha pretendon se Komuna e Pejës zbatoi vendimet e gjykatave për kthimin e Selmanajt në punë.

“Vendimi i gjykatëes për kthimin e z.Selmanaj në punë është zbatuar nga Komuna e Pejës dhe z.Selmanaj është kthyer në vendin e punës si auditor i brendshëm. Në ndërkohë, në përputhje me ligjin, z.Selmanaj është transferuar në pozitë tjetër, ekuivalente për nga paga dhe koeficienti që e kishte në pozitën paraprake. z.Selmanaj ka refuzuar të kalojë në pozitën e transferuar, mirëpo kundër vendimit për transferim nuk ka paraqitur ankesë,” tha Besnik Berisha.

Por Hysni Selmanaj thotë se për moskthimin e tij në punë u është ankuar edhe krerëve të shtetit.

31 Janar 2017 - 09:53

Shkodran Nikçi 31/01/2017 - 09:53
NDËRVEPRIMI59

Ish-Drejtori-Kallëzim Penal ndaj Gazmend Muhaxherit

by Shkodran Nikçi
NA NDIQNI