Gjykata Themelore në Gjilan - Foto: KALLXO.com

Ish-Drejtori i Arsimit Dënohet me Kusht dhe Kompensim të 30 Mijë Eurove

Ish- Drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazmi Musa, është dënuar me kusht në kohëzgjatje prej 145 ditëve për veprën penale të shkeljes së statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës.

Ky dënim nuk do të ekzekutohet në qoftë se Musa nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale në kohëzgjatje prej 1 viti.

Musa u gjet fajtor pasi sa ishte në cilësinë e Drejtorit të Arsimit, kur i ka përfunduar mandati zëvendësdrejtoreshës të shkollës fillore “Abaz Ajeti”, Bukurije Musliut, nuk e ka sistemuar në ndonjë vend tjetër të punës.

Në aktgjykimin të cilin e ka siguruar KALLXO.com, përveç se i është shqiptuar dënimi me kusht, Musës iu shqiptua taksa për kompensimin e viktimave të krimit, në shumë prej 30.000 eurove.

Sipas aktakuzës, nga data 1 shtator të vitit 2015 në kohë të papërcaktuar, në Gjilan, i pandehuri si person zyrtar në cilësinë e Drejtorit të Drejtoratit të Arsimit, e ka keqpërdorur pozitën zyrtare duke vepruar në kundërshtim me udhëzimin administrativ, ashtu që ia mohuar të drejtat të dëmtuarës Bukurije Musliu.

Sipas aktakuzës, Musa ka qenë i obliguar sipas udhëzimit administrativ dhe vendimeve tjera të Inspektoratit të Arsimit dhe sekretarit të Përhershëm të MASHT- it që të dëmtuarën ta sistemojë në ndonjë vend tjetër të punës.