Kuvendi i Kosovës | Foto: KALLXO.com

Ish-Deputetët për 2 Muaj i Morën Shtetit 400 Mijë Euro

Vetëm për muajt maj dhe qershor, nga buxheti i shtetit janë shpenzuar mbi 400 mijë për paga për deputetët e Kuvendit të Kosovës, i shpërndarë më 10 maj.

Qeveria në ikje e Isa Mustafës më 10 maj u rrëzua kur ish-deputetët vendosën të votojnë pro mosbesimit ndaj Qeverisë së koalicioni PDK-LDK.

Pak orë më vonë, presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, nxori dekretin për ta shpërbërë Kuvendin.

Por, kjo nuk ka qenë ndalesë që buxheti i Kosovës të shpenzojë mbi 250 mijë euro për të paguar tashmë ish-deputetët.

Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, përmes postës elektronike ka thënë për KALLXO.com se janë 14 deputetë të cilët kanë realizuar të ardhura vetëm më 10 maj, për shkak se të njëjtit kanë realizuar të ardhura nga institucione tjera.

“14 deputetë të Legjislaturës së pestë, në muajin maj 2017, kanë realizuar të ardhura vetëm deri më 10 maj 2017, meqë të njëjtit kanë realizuar të ardhura në institucione tjera. Shuma e përgjithshme  e pagave për muajin maj dhe kompensimeve për muajin prill dhe maj 2017 (deri në datën e shpërbërjes së Kuvendit), kanë qenë në shumën prej 250,013.07€ neto”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit të Kosovës për KALLXO.com.

Ndërsa mëditjet për muajin maj kanë qenë në vlerën 2 mijë e 938 euro e 76 centë.

Neni 14 i Ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit specifikon që deputeti pas përfundimit të mandatit do e marrë pagën kalimtare, që do të thotë se deputeti do e marrë edhe për 12 muaj tjerë pagën.

Sekretari i Kuvendit të Kosovës ka treguar për KALLXO.com se mbi 155 mijë euro janë shpenzuar në qershor për deputetët e Kuvendit të shpërndarë më 10 maj.

“106 deputetë të Legjislaturës së pestë kanë realizuar të ardhurat e muajit qershor 2017. Shpenzimet e pagave për muajin qershor 2017 janë në shumë prej 155,390.91€ neto”, ka thënë sekretari i Kuvendit për KALLXO.com.

Kjo i bie që buxheti i Kosovës ka shpenzuar 1,465 euro për një ish-deputet.

Të gjithë ish-deputetët që nuk do të rizgjidhen ose që nuk do të punojnë në ndonjë institucion publik do vazhdojnë ta marrin pagën mujore prej 1 mijë e 465 euro për 12 muaj rresht.

Ish-deputetët gjatë qershorit nuk kanë marrë mëditje nga Kuvendi i Kosovës.

Emisioni “Jeta në Kosovë” kishte pyetur disa deputetë se sa është paga e tyre dhe askush nuk kishte dhënë shifrën e njëjtë me tjetrin dhe ka pasur prej tyre që nuk e ka ditur fare se sa është paga e tyre.

http://kallxo.com/sa-paguhen-deputetet-e-kuvendit-te-kosoves/

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka shkruar më herët për pagat e larta të zyrtarëve shtetërorë.

Pagat që Frynë Xhepat e Zyrtarëve të Lartë Shtetërorë

Po ashtu. “Gazeta Jeta në Kosovë” më herët ka shkruar edhe për ish-zyrtarët e lartë të cilët do e gëzojnë të drejtën e 70% të pagës gjatë tërë jetës.

Ish-Zyrtarët e Lartë Shtetërorë Barrë për Buxhetin