Lista Serbe duke e mbajtur tubimin elektoral në Graçanicë, më 2 qershor 2017. Foto: Armenije Zajmi/ Beta

Ish-Deputetët e Listës Serbe Deklarojnë të Hyra edhe në Dinarë

Kjo është vërejtur gjatë deklarimit të pasurisë së tyre në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Është pikërisht ish-deputetja Milena Miliçeviq e cila në deklarimin e pasurisë së saj ka shkruar se gjatë vitit 2017 ajo ka marrë 794.180 dinarë serbë.

Miliçeviq posedon shtëpi në vlerë prej 60 mijë euro, shtëpi me lokal 75 mijë euro dhe një shtëpi në ndërtim së bashku me truall në vlerë prej 80 mijë euro.

Në AKK, ajo ka deklaruar se bashkëshorti i saj ka marrë donacion të pajisjeve për prodhim të çokollatave në vlerë prej 39 mijë e 290 euro nga BE-ja dhe pajisje për prodhimin e bonboneve në vlerë prej 22 mijë e 970 nga USAID.

Miliçeviq ka deklaruar po ashtu se ka para të gatshme në vlerë prej 17 mijë e 688 euro.

Të hyrat e saj vjetore janë 31 mijë e 212 euro dhe 794.180 dinarë serbë.

Përveç saj, është edhe deputeti tjetër nga Lista Serbe Bojan Mitiq i cili ka deklaruar në AKK se posedon para të gatshme në vlerë prej 31 mijë e 142 euro dhe po ashtu 148.534 dinarë serbë.

Mitiq ka deklaruar në AKK se posedon një apartament në vlerë prej 60 mijë euro, automobil në vlerë prej 10 mijë euro.

Të hyrat vjetore të deklaruar në AKK i ka në vlerë prej 44 mijë e 578.

Ndërsa kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq, ka deklaruar se ka veturë në vlerë 7 mijë euro dhe para të gatshme 13 mijë euro.

Të hyrat vjetore të Simiqit janë 23 mijë 751 euro nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

E ish-deputeti tjetër i Kuvendit të Kosovës, Nenad Rashiq ka deklaruar në AKK se ka shtëpi në vlerë 250 mijë euro, truall në vlerë prej 500 mijë euro, veturë 4 mijë euro.

Po ashtu Rashiq ka deklaruar në AKK se ka pasuri të aksioneve në shoqëri komerciale në vlerë prej 260 mijë euro.

Të hyrat vjetore së bashku me bashkëshorten e tij arrijnë në 50 mijë e 375 euro.

Deputeti tjetër nga Lista Serbe, Srdan Popoviq po ashtu ka deklaruar pasurinë e tij në AKK.

Sipas këtij deklarimi ai posedon truall në vlerë prej 14 mijë euro, shtëpi e përbashkët në vlerë prej 270 mijë euro, banesë në emër të prindit në vlerë prej 60 mijë euro dhe banesë 60 metra katrorë në vlerë prej 60 mijë euro. Popoviq ka deklaruar në AKK se posedon edhe veturë në vlerë prej 10 mijë euro. Përveç kësaj pasurie, Popoviq ka deklaruar se ka para të thata në vlerë prej 13 mijë e 290 euro.

Të hyrat vjetore të Popoviq janë 28 mijë e 317 euro.

Adem Hodza, deputeti tjetër nga Grupi Parlamentar Lista Serbe, ka deklaruar se ka parcelë në vlerë prej 100 mijë euro, shtëpi në vlerë prej 50 mijë euro, lokal në vlerë prej 250 mijë euro, që në total del që ka pasuri të paluajtshme në vlerë prej 400 mijë euro.

Hodza ka deklaruar se ka veturë në vlerë prej 6 mijë e 800 euro.

Si deputet i Kuvendit të Kosovës Hodza merr pagë vjetore në vlerë prej 20 mijë e 357 euro.

Ish-deputeti tjetër i Listës Serbe, Sasha Milosavljeviq posedon dy shtëpi, njëra ka vlerë 70 mijë euro ndërsa tjetra e cila është e bashkëshortes së tij ka vlerë 100 mijë euro.  Po ashtu ai ka deklaruar një vilë në vlerë prej 150 mijë euro në emër të prindit të tij.

Milosavljeviq posedon edhe një parcelë në vlerë prej 250 mijë euro dhe veturë në vlerë prej 12 mijë e 400 euro.

Ai posedon edhe para të gatshme në vlerë prej 20 mijë euro ndërsa të hyrat vjetore së bashku me bashkëshorten dhe prindin arrijnë në 35 mijë e 861 euro.

Ish-deputeti tjetër nga kjo parti, Slobodan Petroviq ka deklaruar në AKK se posedon shtëpi prej 120 mijë euro , truall prej 18 mijë euro, veturë në vlerë 26 mijë euro dhe para të gatshme 31 mijë e 500. Paga vjetore nga Kuvendi i Kosovës në vlerë prej 27 mijë e 22 euro.

Jasmina Zhivkoviq si deputete e Kuvendit të Kosovës ka të hyra vjetore prej 29 mijë e 36 euro. Pasuria e saj e patundshme arrin në vlerë prej 180 mijë euro. Po ashtu ajo në AKK ka deklaruar se posedon veturë në vlerë prej 10 mijë euro.

Sikurse bashkëpartiakja e saj, Milka Vuletiq ka deklaruar në AKK se ka të hyra vjetore prej 25 mijë e 861 euro nga Kuvendi i Kosovës. Por, përveç kësaj, Vuletiq ka deklaruar se gjatë vitit 2017 ka marrë edhe pension së bashku me bashkëshortin e saj në vlerë prej 1 mijë e 800 euro.

E ish-deputetja e Listës Serbe, Jelena Bontiq, ka deklaruar se ka apartament në vlerë prej 20 mijë euro dhe para të gatshme prej 82 mijë e 508 euro të saja dhe bashkëshortit.