Isa Mustafa: Votat me Postë në Istog, ‘të Importuara e të Kriminalizuara’

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i ka quajtur “të importuara” dhe “të kriminalizuara” kontingjentin e votave që erdhën përmes postës për kandidatin e AAK-së për kryetar të komunës së Istogut, Gani Dreshaj.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur bashkë me kandidatin e LDK-së për kryetar të kësaj komune, Haki Rugova, kreu i LDK-së tha se do të kërkojnë nga Gjykata Supreme që ta përmbysë vendimin e djeshëm të PZAp për ta dërguar Istogun në rivotim.

“Haki Rugova ka fituar me votat e qytetarëve të Istogut, flas për votat legale, por fitorja e tij është tentuar të vihet në sprovë me vota të kriminalizuara, të importuara nga qendrat kriminale, që janë mbushur në Mal të Zi e Vjenë në favor të kundërkandidatit nga AAK”, tha Mustafa.

“Konsiderojmë që qytetarët e Istogut e kanë dhënë verdiktin e tyre dhe ata nuk duhet ta paguajnë çmimin e keqpërdorimeve që janë bërë nga kaniddati i AAK-së me importimin e votave nga jashtë”, shtoi Mustafa.

Ai kërkoi që personat që janë të përfshirë në procesin e grumbullimit të votave nga jashtë për Istogun të japin përgjegjësi ligjore.

“Përgjegjësinë ligjore dhe politike duhet ta japin ata që e kanë organizuar një proces të tillë. Nuk do të thotë se ne i frikësohemi rivotimit sepse ai siç ka fituar në raundin e parë dhe të dytë, do të fitojë edhe tani, por ne kujdesemi për qytetarët e Istogut të cilët e kanë thënë fjalën e tyre”, tha kryetari i LDK-së.