Isa Mustafa, Kryeministër i Kosovës. I Foto: KALLXO.com

Isa Mustafa: T’i Shkohet Deri në Fund Lirimit të Pronave të Uzurpuara

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se i vjen mirë që Policia dhe Prokuroria kanë nisur aksionin për lirimin e pronave të uzurpuara.

“Unë mund të them se më vjen shumë mirë që edhe Policia edhe Prokuroria aksione të tilla edhe kanë përkrahjen e plotë sepse kemi pasur shumë ankesa nga biznesmenë edhe kosovarë edhe të jashtëm që kanë privatizuar pasuri të ndryshme”, tha Mustafa.

Kryeministri shtoi se edhe bordi i AKP-së ka bërë një punë shumë të mirë kur ka vendosur t’i publikojë emrat e uzurpatorëve të pronës shoqërore.

“Është bërë një punë shumë e mirë edhe nga bordi i AKP-së i cili ka nxjerrë të gjitha rastet e uzurpimeve. Ka qenë edhe një kërkesë e kryetarit të parlamentit, unë mendoj se është edhe kontributi i tij i rëndësishëm në këtë fushë”, shtoi Mustafa.

Por Mustafa bëri thirrje që kësaj pune t’i shkohet deri në fund.

“Unë mendoj se kësaj çështje duhet t’i shkohet deri në fund dhe do të shkohet deri në fund sepse askush nuk mundet me i mbajtë pronat e huaja dhe të pasurohet me prona të huaja”, tha shefi i qeverisë së Kosovës.