Isa Mustafa, Kryetar i LDK

Isa Mustafa: Po Bëhet 'Gjueti' ndaj Lumezit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa konsideron se dyshimet e ngritura rreth vërtetësisë së provimit të Jurisprudencës të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezit janë pjesë e një fushate kundër këtij institucioni.

Ish-Kryeministri i Kosovës po ashtu tha se konsideron që akuzat që fillimisht u ngritën nga ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani janë të dyshimta meqënesë u bënë pasi ky i fundit u dënua për një vepër penale.

“Në qoftë se dikush do ta ketë ditur se Kryeprokurori (nuk ka ?!) provim të jurisprudencës, do të tregonte me kohë, jo në momentin që është shpallur fajtor për një vepër që i është përshkruar. Organizimi i një “gjuetie” të tillë ndaj një institucioni për gjera të cilat mund të vërtetohen, duket se kalon arsyen e validitetit të një dokumenti”, shkroi Mustafa në Facebook.

Ai bëri thirrje që çështja e ngritur edhe nga mediat të shqyrtohet nga institucionet në mënyrë që të ruhet kredibiliteti i insitucionit të Kryeprokurorisë së Shtetit.

“Fatin e drejtësisë nuk duhet ta lëmë në mëshirën e inateve, mosdurimeve dhe hakmarrjeve. Fytyra jonë nuk është fytyrë që shihet vetëm në Kosovë, por aq shihet edhe jashtë dhe reflekton seriozitetin e shtetit tone”, vazhdon tutje postimi i tij.

http://kallxo.com/aleksander-lumezi-paralajmeron-padi-ndaj-enver-hasanit/