Isa Mustafa e Sebastian Kurz në një takim të mëhershëm në Prishtinë. Foto: ZKM

Isa Mustafa në Spotin Zgjedhor të Sebastian Kurz

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është përfshirë në fushatën për zgjedhjet parlamentare në Austri përmes një spoti reklamues në mbështetje të ministrit aktual të punëve të jashtme të Austrisë, Sebastian Kurz, nga Partia Popullore e Austrisë.

Në spotin e realizuar në kuadër të fushatës për zgjedhjet që në Austri mbahen më 15 tetor, mbështetjen për ministrin austriak e kanë dhënë edhe lideri shqiptar i opozitës, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe ministri i Punëve të jashtme i Bosnjës e hercegovinës, Igor Crnadak.

“Jam shumë i lumtur që kam mundësinë t’ju uroj suksese në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Austrisë. Partia Popullore e Austrisë ka qenë gjithnjë në krah të LDK-së. Ne ju kemi marrë si shembull se si duhet ndërtuar dhe strukturuar një parti moderne të qendrës së djathtë e cila punon për qytetarin dhe për vendin e vet”, thotë Mustafa në këtë spot të publikuar në profilin e Sebastian Kurz në Facebook.

“Keni treguar një lidership të mrekullueshëm si ministër i punëve të jashtme të Austrisë. Keni përkrahur fuqishëm proceset e bashkëpunimit dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thotë Mustafa.

Ndërsa Basha e përshkruan ministrin Kurz si një njeri “që e njeh Ballkanin dhe Shqipërinë shumë mirë”.

“Ka punuar me ne për të ardhmen tonë dhe për ta forcuar standardet kundër krimit e drogës, për ta luftuar korrupsionin dhe mbi të gjitha për t’i stabilizuar vendet tona si dhe për ta bërë të mundur që Shqipëria dhe pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor prosperon nëpërmjet demokracisë dhe ekonomisë së tregut”, tha Basha.