Foto: LDK

Isa Mustafa: Liberalizimi Mund të Bëhet Vetëm nga LDK

Në një tubim me elektoratin në lagjen “Kodra e Trimave” të Prishtinës, kreu i LDK-së kritikoi koalicionin rival të përbërë nga PDK, AAK e NISMA duke thënë se “duhet të japin llogari” pse qytetarët ende presin në radhë për viza nëpër ambasada.

“Qytetarët e kanë të qartë se liberalizimi i vizave mund të realizohet vetëm nga LDK-ja, që i ka dyert e hapura në BE dhe e cila i përmbushi kriteret, dhe jo nga ata që mashtrojnë për këtë temë, siç mashtruan për çështjen e bashkimit të tyre në kuadër të koalicionit të mesnatës. Ata do të japin llogari që sot kosovarët vazhdojnë të presin para Ambasadave”, tha Mustafa

Sipas tij, lagja “Kodra e Trimave” është mobilizuar për t’i dhënë fitoren e radhës Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe partnerëve të saj.

“E pash se fitorja është e sigurt dhe se Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Hoti i mbetet që ta vazhdojë zhvillimin ekonomik, ç’kapjen përfundimtare të shtetit nga e keqja dhe integrimin e Kosovës në BE”, tha Mustafa pas takimeve që zhvilloi me strukturat e partisë në këtë lagje.

Ndërkohë, i nominuari për kryeministër të Kosovës nga koalicioni LDK-AKR- Alternativa, AvdullahHoti, ka udhëtuar drejt Brukselit ku është takuar me Presidentin e Partive Popullore Europiane, Zhozef Daul, për të cilin ka thënë se do të vijë në Prishtinë “për t’ju bashkuar fushatës së LDK-së dhe partnerëve të koalicion për fitore në zgjedhjet e 11 qershorit”.

“LDK është pjesë e Partive Popullore Evropiane dhe Presidenti Daul shprehu mbështetje të fuqishme për LDK-në dhe koalicionin që kemi formuar. Daul do të jetë në hapje të fushatës në Prishtinë për të mbështetur qëllimin dhe kauzën që ka LDK dhe koalicioni i djathtë”, citohet Hoti në një komunikatë të LDK-së.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, Hoti në cilësinë e ministrit të Financave do të raportojë në Komisionin  Europian për programin e reformave ekonomike. Ky është viti i tretë me radhë që Qeveria e Kosovës e prezanton këtë raport.

“Programi ekonomik që do të prezantojmë në Bruksel ka gjeneruar rritje ekonomike trefish më të lartë dhe ky program është vlerësuar shumë lartë në dy vitet e kaluara nga Komisioni Evropian dhe institucionet financiare ndërkombëtare. Përveç raportimit ne do të kërkojmë nga Komisioni Evropian që të përkrahë reformat ekonomike që do të vazhdojë Qeveria e Kosovës, e cila sërish do të drejtohet nga LDK”, ka thënë Hoti.