Isa Mustafa Kërkon të Bindet për Zgjedhje të Reja

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kërkoi sot argumente tjera, më bindëse, nga opozita pse vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Por në një tryezë me pjesëtarë të shoqërisë civile në Prishtinë, shefi i ekzekutivit të vendit, hodhi poshtë pretendimet e opozitës se zgjedhjet duhet të mbahen shkaku i nënshkrimit të marrëveshjeve për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe ajo e demarkacionit të kufirit me malin e Zi.

“Kauza të qëndrueshme nuk janë demarkacioni dhe Asociacioni… Ne po e zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha kryeministri.

Nga ana tjetër, ai refuzoi t’i pranojë zgjedhjet e reja si pasojë e situatës politike të krijuar muajve të fundit në vend.

Arsye për këtë refuzim, sipas tij, është krijimi i një precedenti në të ardhmen.

“Nëse i pranojmë zgjedhjet e reja… askush nuk mund t’ia ndalojë nesër dikujt ta bllokojë foltoren e Kuvendit, e të thotë që unë jam legjitimi, unë jam mbreti i kësaj salle dhe unë i përcaktoj rregullat në bazë të sprej-it e lotsjellësit”, tha Mustafa.

Prandaj Mustafa i bëri thirrje opozitës dhe shoqërisë civile që t’ia argumentojë kërkesën për zgjedhje të reja.

“Nëse ju këtu edhe opozita mund ta argumentojë se ne për një vit e tre-katër muaj të kësaj qeverisjeje e kemi dëmtuar vendin kaq shumë dhe për këto dëme duhet të shkojmë në zgjedhje, atëherë ulemi e bisedojmë”, tha ai.

Për zgjedhjet e mundshme foli edhe Baton Haxhiu, drejtor i “Klan Kosovës” që tha se ato duhet të bazohen në sondazhe e vlerësime shkencore

“Si mund të shkohet në zgjedhje pa u bërë këto analiza kur e dimë se secili sondazh e qet PDK-në dhe LDK-në  mbi 50 për qind. Dhe unë mendoj se këto gjëra bëhen mbi sondazhe dhe mbi një premisë shkencore dhe jo mbi dëshirat prandaj i rregullon rendi juridik të gjitha këto prej rendit moral,” tha ai.

Adriatik Kelmendi nga KTV-ja nuk u pajtua me mendimin e Baton haxhiut për zgjedhjet

“Unë besoj që nuk na takon ne si qytetarë të mendojmë se si do të dalë rezultati i subjekteve të caktuara politike në zgjedhje. Në qoftë se sondazhet e fundit tregojnë se ka dy subjekte politike që do t’i marrin mbi 50 për qind dhe opozita e cila po kërkon zgjedhje po dilka me poshtë, atëherë le t’i mbetet asaj opozite të kalkulojë edhe atë humbje eventuale,” tha Kelmendi.

Ai theksoi se zgjedhjet në demokraci  janë vetëm riverifikim i përkrahjes së qytetarëve.

Mustafa foli edhe për korrupsionin.

“Nuk mund të pohoj se nuk kemi askund korrupsion, por duhet ta them se nuk kemi asnjë skandal në qeveri. Ne e marrim përgjegjësinë vetëm për atë që ne e konsiderojmë se jemi përgjegjës”, u shpreh Mustafa.

Ndërsa zëvendësi i tij në qeveri, Hashim Thaçi, i cili është kandidat për t’u votuar për postin e Presidentit të Kosovës këtë muaj, tha se nuk është i obsesionuar pas këtij posti, sado që ka disa ditë që i ka hyrë një turi vizitash promovuese nëpër komunat e Kosovës.

“Politikën e kam edhe zanat edhe nuk e kam punë zori. Në momentin e zgjedhjes (si President) do të lirohem nga të gjitha postet tjera politike e ekzekutive dhe do ta vëj të gjithë përvojën politike të dy dekadave në shërbim të vendit”, tha Thaçi.