Ahmet Krasniqi, ish-ministër i Mbrojtjes i Kosovës i vrarë në vitin 1998 në Tiranë. Foto: Facebook

Isa Mustafa Kërkon nga Shqipëria ta Zbardhë Vrasjen e Ahmet Krasniqit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), isa Mustafa, kërkoi sot nga shteti shqiptar që ta zbardhë vrasjen e kolonelit Ahmet Krasniqi, i vrarë 19 vjet më parë në Tiranë në rrethana ende të pqasqaruara.

Në ditën e vrasjes, Krasniqi ishte ministër i Mbrojtjes në qeverinë e Kosovës që vepronte në ekzil të drejtuar nga Bujar Bukoshi. Mustafa ka qenë ministër i Financave në të njëjtën qeveri.

Në një mesazh qytetarëve në përvjetorin e vrasjes së Ahmet Krasniqit, Mustafa tna se 19 vjet më parë ai ka përjetuar “një prej ngjarjeve më të rënda” në jetën e tij pasi që “me sytë e mi e pash të vrarë pabesisht, në mes të Tiranës, Kolonel Ahmet Krasniqin”.

“Kam pasë nderin e veçantë ta njoh personalisht Ahmetin, një personalitet që të bënte për vete, që rrezatonte dije shumëdimensionale, mirësi njerëzore, mençuri karakteristike dhe burrëri të trashëguar nga familja e tij atdhetare”, tha Mustafa.

“Diapazoni i gjerë i dijes dhe potenciali intelektual e bënin atë personalitet frymëzues, cilësi që ai i vuri në shërbim të plotë të unifikimit dhe motivimit të të gjithë njerëzve në rrugën e shenjtë të lirisë”, shtoi ai duke e cilësuar Ahmet Krasniqin si strategun më të madh ushtarak të luftës së fundit çlirimtare dhe një patriot i paepur i çështjes kombëtare.

“Ai u vra pas shpine aty ku më së paku e priste dhe ende askush nuk është vënë para drejtësisë për këtë krim të madh ndaj vendit. Shteti shqiptar duhet ta zbardhë sa më parë se kush e vrau Kolonel Ahmet Krasniqin”, tha Mustafa.

“Ne na mbetet që eshtrat e Kolonel Ahmet Krasniqit t’i varrosim në Prishtinë dhe që ai të përkujtohet përherë për kontributin kolosal për lirinë e vendit’, tha kryetari i LDK-së.