Isa Mustafa, kryetar i LDK-së. Foto: KALLXO.com

Isa Mustafa Jep Sqarime Shtesë Rreth Gjykatës Speciale

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar sërish sot lidhur me konfuzitetin e krijuar të premten në Kuvendin e Kosovës, ku u tentua të shfuqizohet Ligji për Dhomat e Specializuara.

Mustafa thotë se ka tendenca që t’i përshkruhet Lidhjes Demokratike të Kosovës se e dëshiron Gjykatën Speciale. Kjo, sipas tij, është e pavërtetë.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, Isa Mustafa thekson se Gjykata e Specializuar është themeluar me seli jashtë vendit si pasojë e pasigurisë së dëshmitarëve.

“Është themeluar, jo si vullnet dhe dëshirë e institucioneve të Kosovës por me insistimin e qartë të faktorit ndërkombëtar, të SHBA-së dhe BE-së, se nëse Kosova nuk e themelon këtë gjykatë me ndryshime kushtetuese dhe pastaj me ligj, atëherë atë do ta themelojë Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbi bazën e Rezolutës 1244”, ka shkruar ai.

Sipas Mustafës, përfaqësuesit e ShBA-së u kanë thënë qartë se nëse Kosova nuk e merr përgjegjësinë për themelimin e kësaj Gjykate dhe zbardhjen e të gjitha dyshimeve për krime, atëherë ShBA nuk kanë asnjë arsye të pengojnë themelimin e saj nga Këshilli i Sigurimit.

“Me kalimin e kësaj gjykate me vendim të KS të OKB-së do të fuqizohej roli i Rusisë dhe Kinës, kurse mandati i saj do të ishte i pa limituar dhe në vullnetin vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, ka shtuar Mustafa.

Më tej, Isa Mustafa thekson se qëndrimi i LDK-së për tentimet e fundit për shfuqizimin e Ligjit mbi Dhomat e Veçanta të Gjykatës Speciale dhe Prokurorinë e veçantë, nuk kanë të bëjnë me dëshirën që njerëzit tanë të gjykohen jashtë vendit. Por, me përgjegjësitë të cilat shteti ynë i ka marrë me ndryshimet kushtetuese dhe me Ligj.

“Janë detyrime ndërkombëtare, të cilat nuk mund të zhbëhen me nënshkrime të deputetëve në një mbrëmje. Veçmas kur gjykata është funksionalizuar, kur vendet e BE-së dhe SHBA kanë ndarë buxhetet dhe kanë filluar implementimin. Si pasojë prapë do të kishim një ndërhyrje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe rifuqizim të Rezolutës 1244 dhe të rolit të Rusisë në vendin tonë. Do të kishim izolimin e Kosovës”, ka theksuar i pari i LDK-së.

Isa Mustafa thotë se kjo Gjykatë nuk është themeluar me destinim të trajtojë vrasjet e veprimtarëve të LDK-së. “Do të trajtojë të gjitha krimet për periudhën për të cilën është mandat i saj. Këto krime është dashur ti trajtojnë me kohë organet e drejtësisë që veprojnë në Kosovë, që kanë qenë në përgjegjësi të UNMIK-ut, të EULEX-t dhe tani në përgjegjësi vendore, por për fat të keq nuk i kanë trajtuar”.

“Gjykata Speciale nuk do ti zgjidhë të gjitha krimet në Kosovë, ajo do të trajtojë një pjesë të tyre. Kosova dhe institucionet e Kosovës duhet të marrin guximin, jo të propozojnë zhbërjen e Gjykatës Speciale përmes shfuqizimit të Ligjit, por të marrin përgjegjësinë për trajtimin e krimeve, vrasjeve e torturave që kanë ndodhur në vendin tonë. Kryerësit e krimeve janë individë; nuk janë shqiptarët, UÇK-ja dhe Kosova!”, ka përfunduar Mustafa.