Disa gra në Mosul - Foto: REL/AFP

Iraku Dënon me Vdekje 15 Gra Turke për Anëtarësim në ISIS

Një gjykatë në Irak ka dënuar me vdekje 15 gra turke, pasi i ka cilësuar fajtore për anëtarësimin e tyre në grupin militant, Shteti Islamik (ISIS).

Gjykata penale ka dënuar edhe një tjetër grua turke me burgim të përjetshëm për shkak se i është bashkuar grupit.

Gjyqtari, Abdul-Sattar al-Birqdar, ka thënë se gjykata ka marr këto vendime, “pasi ka vërtetuar se gratë janë pjesë e grupit terrorist ose janë martuar me qëllim që të ofrojnë informata logjistike për grupin apo t’iu ndihmojnë në kryerjen e sulmeve terroriste”.

Iraku ka ndaluar 560 gra dhe 600 fëmijë, të identifikuar si militantë apo të afërm të luftëtarëve të ISIS-it.

Në muajin janar, një gjykatë ka ndëshkuar me vdekje një grua gjermane për akuzat se ka ofruar informacion për militantët e ISIS-it, ndërsa një tjetër grua është dënuar po ashtu me vdekje të muajin shkurt.

Organizata Human Rights Watch ka e cilësuar vendimin “të padrejtë”.

Qeveria irakiane ka shpallur fitore kundër militantëve të ISIS-it në muajin dhjetor, pasi ka larguar grupin nga zonat kryesore të cilat i ka kontrolluar nga viti 2014. (REL)