Foto: REL/AFP

Iraku dënon me burgim të përjetshëm gratë ruse të lidhura me ISIS-in

Iraku ka dënuar dy gra nga Rusia me burgim të përjetshëm pasi ka deklaruar se ato kanë qenë të lidhura me grupin ekstremist, Shteti Islamik.

Të dyja gratë që janë dënuar nga një gjykatë në Bagdad më 17 prill janë identifikuar nga zyrtarë të Çeçenisë si persona me kombësi të Dagestanit.

Raportimet e mediave shtetërore ruse duke cituar televizionin irakian kanë thënë se tri gra nga Azerbajxhani dhe një tjetër nga Kirgizia janë dënuar me vdekje në seancën e njëjtë.

Detajet për këto gra ende nuk janë identifikuar plotësisht.

Agjencia e lajmeve AFP ka raportuar se pesë gra nga Azerbajxhani janë dënuar me vdekje në seancën e njëjtë.

Dallimet në mes të raportimeve të mediave ruse dhe agjencive të tjera nuk janë konfirmuar ende.

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar Iraku ka shpallur fitore kundër militantëve të IS-it.

Ligjet e këtij shteti kundër-terrorizmit u lejojnë gjykatave të dënojnë ata që besohet se kanë shërbyer si ndihmesë për militantët e ISIS-it edhe nëse nuk janë akuzuar për hapa të dhunshëm.