Intervistë: Hashim Thaçi e Edi Rama

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është kthyer në emisionin “Jeta në Kosovë” pas dhjetë vitesh për të folur për zhvillimet e fundit në Kosovë.

Në intervistën me Jeta Xharrën, Presidenti foli për çështjen e debatuar të kohëve të fundit të raporteve Kosovë- Shqipëri, për autostradën e cila u perceptua si injorim i Kosovës nga Tirana e Beogradi, për luftën ndaj korrupsionit, për kryetarët e komunave të dënuar e me aktakuzë nga partia që ai e drejtonte dikur (PDK) si dhe për preferencat e tij në garën për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në këtë emision u transmetua edhe intervista që Jeta Xharra ka zhvilluar me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Beograd. Në këtë intervistë, Rama foli për gjithashtu për debatet e fundit Kosovë- Shqipëri, për raportet Shqipëri- Serbi si dhe për atë nëse shqiptarët duhet të ndihen fitimtarë apo humbës në luftën e fundit.

Gjatë emisionit u transmetuan edhe pjesë interesante nga debati Edi Rama- Aleksandar Vuçiq në Forumin e Sigurisë në Beograd si dhe një intervistë me Natasha Kandiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd rreth gjykimit të rasteve të krimeve të luftës në Serbi.