Institucionet Kërkojnë ‘Front të Gjerë’ Kundër Drogave

Institucionet e vendit vlerësojnë se rreth 3.000 qytetarë kosovarë janë përdorues të narkotikëve. Ndërsa, në Polici me shënime të sakta janë të regjistruar gjithsej 937 përdorues. Prej këtyre 185 janë regjistruar vetëm gjatë këtij viti.

Këto statistika u bënë publike në një konferencë të organizuar sot nga Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me OSBE-në në Ditën Ndërkombëtare kundër Abuzimit dhe Trafikimit me Droga.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa, tha që Policia e Kosovës nuk është në gjendjen më të mirë për të zvogëluar kërkesën për lëndë narkotike.

“Në zvogëlimin e kërkesës deri më tani lirisht mund të themi që nuk kemi qenë në gjendjen më të mirë ose në gjendjen më të volitshme dhe çfarë e kërkojnë qytetarët e Kosovës për arsye se jemi dëshmitarë të asaj që për një periudhë të gjatë pothuajse fushatat senzibilizuese kanë qenë vetëm përgjegjësi e Policisë së Kosovës dhe ndonjë organizate joqeveritare dhe të disa partnerëve tanë ndërkombëtarë në ditë të caktuara”, tha Mustafa.

Ai shtoi që duhet të organizohen më shumë fushata vetëdijësuese. “Po mendojmë që ka ardhë koha që sa i përket fushatave të vetëdijesimit e që rezultojnë me zvogëlimin e kërkesës të krijohet një front i gjerë ku do të jenë të  përfshirë të gjitha mekanizmat e shoqërisë në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Ndërsa, Shpresa Mulliqi nga OSBE, tha që droga nuk prodhohet në Kosovë, porse vendi ynë është rrugë përmes të cilës ajo shkon drejt Evropës.

“Droga nuk prodhohet në Kosovë, mirëpo Kosova është një prej hallkave në rrugëtimin e këtyre preparateve që do të thotë  vijnë nga Afganistani po jo vetëm, përmes rrugës së Ballkanit pastaj depërtojnë në Evropë”, tha ajo.

Ndërsa, togeri Bajram Nuhiu nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve i Policisë së Kosovës, tha që përdorimi i drogës në Kosovë ka filluar të shënojë rritje që nga periudha e tranzicionit.

“16 vite më parë në Kosovë droga ishte diçka që njihej vetëm nga mediat ose në ndonjë diskutim. Për fat të keq duke filluar prej periudhës së tranziscionit atëherë ka filluar që të paraqitet si fenomen në Kosovë dhe të fillojë për çdo ditë të ketë ngritje”, tha Nuhiu.

Ai shtoi se Policia e Kosovës ka rritur në masë të madhe kujdesin në pikat kufitare. “Në kuadër të aktiviteteve parandaluese Policia Kufitare bën patrullim në vijën kufitare dhe është e pajisur me qen patrullues qoftë në vijën kufitare, qoftë në pikat kufitare. Kontrolli tjetër në pikat kufitare me skaner dhe me pajisje të cilat e bëjnë identifikimin e drogave dhe si dhe përmes planeve të ndryshme operative”, tha ai.