Monedha Euro - Foto: Wikimedia

Institucionet e Drejtësisë Kërkojnë edhe 4 Milionë Euro Buxhet Shtesë

Sistemi i drejtësisë, duke e përfshirë Këshillin Prokurorial, Këshillin Gjyqësor dhe disa agjenci kanë kërkuar buxhet shtesë për vitin 2018, edhe pse në projektbuxhetin për vitin e ardhshëm për këto institucione parashihet të ketë rritje të stafit dhe të buxhetit krahasuar me vitin 2017.

Në Komisionin për Buxhet dhe Financa ishte dërguar kërkesa nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitet dhe Rregullore të Kuvendit që buxheti i disa institucioneve të drejtësisë të rritet, e këto kërkesa do të lexohen në Kuvend pa përkrahjen e komisionit përkatës.

Këshilli Prokurorial i Kosovës pas planifikimit që të ketë staf dhe buxhet më shumë në vitin 2018, ku prej 698 të punësuarve me buxhet prej 6.3 milionë euro në vitin 2017 ky institucion planifikohet të ketë 846 të punësuar me një buxhet prej 7.2 milionë euro në vitin 2018.

Ky institucion ka kërkesë edhe për 1.3 milion euro buxhet shtesë për pagesën e shtesave të kujdestarisë.

Gjithashtu, kërkesa e tyre është që për vitin 2018 përveç pagave t’u shtohet buxhet edhe për mallra dhe shërbime në vlerë prej 714 mijë euro.

Për Këshillin Gjyqësor të Kosovës po ashtu ishte kërkuar buxhet shtesë.

Për paga dhe mëditje ky institucion kishte kërkuar edhe 390 mijë e 568 euro shtesë pavarësisht që në projektbuxhet për vitin 2018 këtij institucioni planifikohet t’i shtohen 2 milionë euro për paga dhe mëditje duke e rritur numrin e të punësuarve nga 2 mijë e 159 në 2 mijë e 271.

Përveç buxhetit shtesë për paga dhe mëditje për këtë institucion kërkohet buxhet shtesë edhe për 82 mijë euro për mallra dhe shërbime, 150 mijë euro kërkohen për kompensim të të dënuarve pa bazë, dhe 100 mijë euro kërkohen për sistemin e menaxhimit Informativ të lëndëve.

As kjo kërkesë nuk ka marrë përkrahjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa.

Buxhet shtesë për vitin 2018 për paga dhe mëditje është kërkuar edhe për Agjencinë Kundër Korrupsionit në vlerë prej 53 mijë eurove për 6 zyrtarë, edhe pse kjo Agjenci për kategorinë e pagave dhe mëditje në projektbuxhetin e vitit 2018 ka rritje prej 17 mijë eurove.

Përveç rritjes së pagave dhe mëditjeve për këtë Agjenci kërkohet edhe rritje prej 30 mijë eurove për mallra dhe shërbime.

Ky propozim do t’i dërgohet në lexim Kuvendit pa përkrahjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa.

Komisioni për Legjislacion ka kërkuar mjete shtesë edhe për Komisionin Qendror Zgjedhor në vlerë prej 410 mijë e 108 euro për paga dhe mëditje, dhe 80 mijë e 521 euro janë kërkuar për mallra dhe shërbime.

Për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës po ashtu është kërkuar buxhet shtesë në vlerë prej 298 mijë euro për paga dhe mëditje si dhe rritje e numrit të të punësuarve për 20 zyrtarë.

Ky institucion tani ka staf prej 242 të punësuar për të cilët kërkohet pagesa e rrezikshmërisë prej 200 mijë eurove, ndërsa pjesa prej 98 mijë eurove kërkohet për 20 të punësuar të rinj.

Përveç që kërkohet buxhet shtesë për paga dhe mëditje, ky institucion kërkon edhe 88 mijë euro për blerjen e 3 veturave dhe 88 mijë e 523 euro për shpenzime komunale. Edhe ky propozim do t’i shkojë Kuvendit pa përkrahjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa.

Akademia e Drejtësisë kërkon 301 mijë e 740 euro buxhet shtesë për trajnimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve fillestarë, 8 mijë e 820 euro kërkon për programin e njëjtë për mësim në distancë, dhe 37 mijë e 800 euro i kërkon për 7 pozita të reja në burime njerëzore për Akademi.

Akademia e Drejtësisë që në të kaluarën është quajtur Instituti Gjyqësor i Kosovës ka staf prej 25 të punësuarish me buxhet të ndarë prej 211 mijë e 511 euro për vitin 2018, me një rritje prej 7 mijë e 168 euro krahasuar me vitin 2017.

Buxhet shtesë nga Komisioni për Legjislacion është kërkuar edhe për Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas në vlerë prej 22 mijë e 280 euro për paga dhe mëditje, kurse për mallra dhe shërbime për këtë institucion janë kërkuar buxhet shtesë në vlerë prej 30 mijë e 820 euro. Në këtë institucion tani punojnë 26 punëtorë me një buxhet të planifikuar për vitin 2018 në vlerë prej 199 mijë e 827 euro, një rritje prej 9 mijë euro krahasuar me vitin 2017.