Nga gjykimi i Shefqet Krasniqit. Foto: Kallxo.com

Inspektori i Tatimor Dëshmon për Akuzën për Shmangie Tatimi të ish- Imamit

Ish imami i Xhamisë së madhe të Prishtinës, Shefqet Krasniqit, ka dalë sot para gjyqit në Gjykatën Themelore të Prishtinës për t’u përgjigjur në akuzat për shmangie të tatimit.

Akuza për shmangie nga tatimi është njëra ndër akuzat me të cilat Krasniqi ngarkohet nga Prokuroria Speciale. Ai akuzohet edhe për shtytje në kryerjen e veprave terroriste, nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar.

I pranishëm në seancën e sotme, përveç palëve, është edhe Xhemë Shala, si përpilues i një raporti te Administratës Tatimore të Kosovës lidhur me pikën 3 të akuzës, shmangie nga tatimi që akuzohet Shefqet Krasniqi.

Si inspektor tatimor, Shala ka përpiluar raportin për ndërmarrjen ‘Portat’ në pronësi të Shefqet Krasniqit.

“Përpilimin e raportit e kemi bërë në zyrat e ATK-së në pjesën ma të madhe ndërsa pjesa tjetër është bashkëpunuar me përfaqësuesin e tatimpaguesit për gjithçka’, tha Shala

Ai tha se raporti është përpiluar në vitin 2016.

“Fillimisht kemi pasë vështirësi me numrin e kontaktit të telefonit. Pronari i biznesit ka qenë në botën e jashtme dhe kemi kërku nga përfaqësuesi i autorizuar të na informojë se kur do të kthehet”, tha ai.

Inspektori tha se nuk e kishte inspektuar këtë kompani para vitit 2016, por kishte parë se ajo ishte inspektuar nga kolegë tjerë të tij në ATK.

Ai tha se kur pronari ishte kthyer në Kosovë, nuk ka pasur probleme në kryerjen e punëve të inspektimit dhe “bashkëpunimi ka qenë shumë korrekt”.

“Të gjitha të dhënat që i ka pasë, i ka paraqitur”, tha ai.

I pyetur nga trupi gjykues nëse gjatë kontrollit është konstatuar se ka pasur shmangie nga tatimi, inspektori Shala u përgjigj: “Raporti i kontrollit ka rezultu me qarkullim shtesë dhe obligime tatimore konform gjendjes së konstatuar”.

Shefqet Krasniqi është përgjigjur në gjykatë për këtë akuzë edhe më 21 shkurt kur ai kishte dhënë versionin e tij për borxhin ndaj ATK-së.

http://kallxo.com/shefqet-krasniqi-shpjegon-borxhin-e-biznesit-te-tij-ndaj-atk-se/