Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

Inspektori Komunal Dënohet me 6 Muaj Burgim

Gjykata Themelore në Gjilan e shpalli fajtor dhe dënoi me burgim prej 6 muajsh të akuzuarin R.L. nën akuzën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Pas shqyrtimit të të gjitha provave trupi gjykues erdhi në përfundim se i akuzuari R. L. në cilësinë e inspektorit komunal të resurseve natyrore, gjatë periudhës kohore 2013 – 2014, në Kamenicë, me qëllim që vetit apo tjetrit t’i sjellë dobi të kundërligjshme, në vazhdimësi ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar duke tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe duke i ndihmuar në forma të ndryshme kompanitë që merren me eksploatimin e rërës dhe zhavorrit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari në mënyrë të vazhdueshme u ka dhënë instruksione kompanive për eksploatimin ilegal të rërës dhe zhavorrit, duke udhëzuar të njëjtat që të pajisen me dokumente fiktive doganore dhe të natyrave si mbulesë për ushtrimin e veprimtarive të tyre dhe operimin e tyre në mënyrë ilegale, të cilat ishin në kundërshtim me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës me nr. 02/46, të datës 02.11.2011.

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Gjilan i akuzuari me këto veprime ka kryer veprën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.