Inspektori Dëshmon Kundër Drejtorit të Arsimit të Suharekës

Drejtori i Arsimit në Suharekë, Sherif Berisha, u deklarua i pafajshëm në gjykimin e tij për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Berisha akuzohet se dëmtoi kandidatët e një konkursi duke mos vepruar sipas rekomandimit të Inspektoratit të Arsimit në Prizren.

Në fjalën hyrëse prokurorja Ervehe Gashi tha se Prokuroria ka prova të mjaftueshme se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

“Pa dyshim do të vërtetojmë se në veprimet e këtu të akuzuarit qëndrojnë të gjitha elementet esenciale të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, tha ajo.

Në këtë seancë dëshmuan tre dëshmitarë.

Qemajl Bytyqi, inspektor në Sektorin e Inspeksionit Arsimor të Prizrenit tha se pas ankesës nga pala është kryer inspektim dhe në konkursin në fjalë janë gjetur shumë shkelje.

“Në bazë të kësaj Inspektori i arsimit ka konstatu se ka shkelje gjatë formulimit të konkursit, të shpalljes së konkursit, me qëllim ose pa qëllim nuk e di. Me rëndësi është që ai konkurs i shpallur në atë mënyrë të përdoret sipas nevojave të institucionit, gjegjësisht të Drejtorisë Komunale”, tha ai.

Bytyqi tha po ashtu se i pandehuri Berisha nuk e ka përfillur rekomandimin e Sektorit të Inspeksionit Arsimor që të rishpallet konkursi.

Ndërsa, e dëmtuara Fatmire Elshani në dëshminë e saj tha se kishte aplikuar në konkursin për mësimdhënës në shkollën e mesme profesionale “Abdyl Rama” dhe edhe përkundër faktit se ishte më e kualifikuara për lëndë bujqësore nuk ishte pranuar në vendin e punës.

Ajo tregoi se ka bërë ankesa në Drejtori të Arsimit, në Inspektoratin Arsimor dhe kishte paraqitur edhe padi, të cilën në shkallë të parë në gjykatë e ka fituar.

Ndërsa, dëshmitari Skender Gashi, mbeti në tërësi pranë fjalës së dhënë në Prokurori, me deklaratën plotësuese se edhe tani vazhdon të japë mësim në shkollën “Abdyl Rama”.

Pas përfundimit të provave, me kërkesën e mbrojtjes seanca gjyqësore u ndërpre, ndërsa ajo e radhës u caktua për më 15 maj.

Berisha akuzohet se prej datës 13 nëntor 2015 e në vazhdim në Suharekë në cilësi të personit zyrtar nuk ka vepruar sipas rekomandimit të Sektorit të Inspeksionit të Arsimit në Prizren në lidhje me anulimin e konkursit të datës 21 gusht 2015.

Prokuroria në aktakuzë tregon se për çfarë ishte hapur ky konkurs.

“Konkurs ky i shpallur për rekrutimin e stafit të mësimdhënësve për Shkollën e Mesme Profesionale ‘Abdyl Rama’ në Shirokë dhe rishpalljen e konkursit në po të njëjtën shkollë në afat prej 8 ditësh, me ç’rast seriozisht i shkel të drejtat e kandidatëve të tjerë që kanë konkurruar në konkursin me nr. 05 nr.268, me çka ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në aktakuzën e prokurorisë.

KALLXO.com raportoi edhe nga seanca e kaluar e këtij rasti.

http://kallxo.com/drejtori-arsimit-ne-suhareke-serish-ne-gjykate/

Drejtori i Arsimit në Suharekë, Sherif Berisha, njëkohësisht është duke u gjykuar edhe për një rast tjetër për punësim pa konkurs nëpër shkolla të ndryshme në Suharekë të nëntë mësimdhënësve dhe një kontabilisti.

http://kallxo.com/drejtori-arsimit-akuzohet-se-punesoi-10-veta-pa-konkurs/