Inspektorati Policor i Kosovës - Foto: KALLXO.com

Inspektorati nuk Komenton Deklaratat e Mustafës për Policinë

Pas deklaratave të djeshme të zëvendësministrit të Punëve të Brendshme Nehat Mustafa se Policia e Kosovës duhet të pastrohet nga të korruptuarit dhe të përfshirët në krime, zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës Arbër Beka tha për KALLXO.com se ky institucion nuk komenton deklaratat e zëvendësministrit, por as ndonjë zyrtari tjetër.

“Inspektorati Policor i Kosovës nuk komenton deklaratat e Zëvendësministrit apo të ndonjë zyrtari tjetër qeveritar”, tha Beka.

Megjithatë, sipas Bekës, inspektorati që ka për detyrë të parandalojë, zbulojë, hetojë e dokumentojë veprat e mundshme penale të pjesëtarëve të policisë me punën e tij do ta bëjë më të fuqishme policinë.

“Realizimi me sukses i misionit ligjor të IPK-së natyrisht do të ndikojë edhe në fuqizimin e imazhit dhe të integritetit policor të policisë sonë”, tha Beka për KALLXO.com.

Ai deklaroi se Inspektorati do të ndikojë në shtimin e llogaridhënies së punonjësve të policisë.

“Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) do të vazhdojë që me përkushtim të realizojë objektivat ligjore që përmes fushëveprimit dhe misionit që ka të parandalojë dhe luftojë çdo dukuri negative brenda policisë, duke ngritur në këtë mënyrë nivelin e llogaridhënies së policisë, si një ndër policitë më të mira në rajon”, tha Beka.

Dje zëvendësministri Nehat Mustafa duke u ndërlidhur me arrestimin e 59 zyrtarëve policorë në katër drejtori në dhjetor të vitit të kaluar nën dyshimin për marrje ryshfeti, tha se ky aksion është dashur të vazhdojë.

Zëvendësministri konstatoi se në krim janë të përfshirë dhe shefat e policëve të arrestuar.

http://kallxo.com/mustafa-kerkon-pastrimin-e-policise-nga-krimi/

Policia e Kosovës në përgjigjen ndaj reagimit të zëvendësministrit, i kërkoi atij të tregojë fakte.

http://kallxo.com/policia-sfidon-zevendes-ministrin-trego-fakte/

Mustafa edhe sot vazhdoi polemikën me policinë.