Foto: KALLXO.com

KALLXO 360: Inspektohen Kontrollet Sistematike Mjekësore në Shkolla

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arben Vitia, vizituan sot shkollën “Meto Bajraktari” si dhe Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Në shkollën “Meto Bajraktari” Ahmeti e Vitia shikuan sesi punëtorët shëndetësorë kontrollonin gjendjen e përgjithshme shëndetësore të nxënësve.

Kryetari i Prishtinës tha se këto kontrolle që po u bëhen fëmijëve janë të rëndësishme sepse me to përcaktohen problemet shëndetësore të tyre.

“Këto kontrolle janë tepër të rëndësishme, së pari për të përcjellë se çka po ndodhë prej klasës së parë deri në të pestën dhe prej të pestës deri në të nëntën dhe në përgjithësi ndihmon tepër shumë për identifikimin e hershem të problemeve të cilat në këtë moshë edhe mund të adresohen”, tha Ahmeti.

Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale tha që pas marrjes së rezultateve do të mundohen që këto probleme shëndetësore t’i adresojnë me kohë.

“Secila analizë dhe secili rezultat që ne e marrim nga këto vizita sistematike na shtyjnë neve që të ndërmarrim masa ashtu siç kemi ndërmarrë edhe në këto dy vitet e kaluara varësisht prej problemeve më të shpeshta që i kemi gjetë në këto vizita”, tha Vitia.

Ai tregoi se vitin e parë kur ata kanë filluar kontrollet shëndetësore problem kryesor ka qenë kujdesi oral, kurse vitin e dytë shputat e rrafshëta dhe këtë vit ata presin që të marrin rezultatet.

“Ne menjëherë e kemi blerë një aparaturë e cila e bën diagnostikimin korrekt të kësaj patologjie, e cila është shumë e evitueshme kur diagnostikohet në moshat e reja”, tha Vitia.

Pas vizitës në shkollë, Ahmeti e Vitia vazhduan për tek Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, ku u njoftuan me punën që bëhet në këtë qendër.

Ky është viti i tretë që Komuna po bashkëpunon me QKMF për të realizuar kontrolle për gjendjen shëndetësore të nxënësve.