Isa Mustafa - Foto: Atdhe Mulla

Insiston Mustafa: Jo Koalicion me PDK-në

“Qëndrimi i LDK-së është publik se nuk ka koalicion me PDK-në dhe me koalicionin ku është PDK”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në “Facebook”.

Për koalicion me të tjerët Mustafa ka thënë se do të vendosin pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit. “Por gjithnjë sipas interesit të votuesve të LDK-së”, ka shkruar ai.

“Fushatën e kaluam dhe jam i bindur se, pavarësisht deklaratave të individëve për tu protagonizuar para opinionit, të gjithë e kanë të qartë qëndrimin e organeve dhe strukturave të LDK-së, të cilat janë të vetmet që vendosin për këto çështje”, ka shtuar ai.

Isa Mustafa ka thënë se LDK është parti e cila nuk vepron as sipas kushtezimeve dhe as sipas shantazheve individuale. “As me kutin e propozimeve dhe projeksioneve ad hoc”, ka shtuar ai.

Në zgjedhjet e 11 qershorit, koalicioni i drejtuar nga LDK ka dalë i treti, pas Lëvizjes Vetëvendosje që doli e dyta dhe koalicionit PDK-AAK-Nisma që doli i pari.