Foto Arkiv

INDEP: Struktura e Re Tarifore në Dëm të Konsumatorëve të Vegjël

“Nga skema e re tarifore konsumatorët e vegjël familjarë do të pësojnë rritje të çmimit në pjesën më të madhe të tyre”, thuhet në “Analizën e Strukturës së re Tarifore të propozuar nga ZRrE”, të prezantuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).

Kjo analizë e INDEP-it është prezantuar në një tryezë të organizuar nga Konzorciumi Kosovar i Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) për të diskutuar me qytetarë dhe biznese për ndikimin që do ta ketë struktura e re e propozuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE).

Struktura aktuale e tarifave ka bërë që familjet që shpenzojnë më pak se 600 kilovatë kanë pasur tarifa nën koston reale të furnizimit të tyre me energji elektrike. Ndërsa, konsumatorët që kanë shpenzuar më shumë se 800 kilovatë kanë paguar më shtrenjtë se kostoja reale e furnizimit të tyre me energji elektrike.

INDEP ka krahasuar harxhimet e energjisë elektrike të një konsumatori të vogël familjar nga Vushtrria në bazë të tarifës aktuale dhe të tarifës së re të propozuar gjatë muajve të verës.

“Nëse e njëjta familje në muajin maj 2017 harxhon sasi të njëjtë të rrymës sikur vitin e kaluar, ajo do të paguajë 42% më shtrenjtë rrymën. Në muajin korrik ajo do të paguajë 32% më shtrenjtë. Në total kur marrim shpenzimin vjetor familja do të paguajë 15.8% më shtrenjtë sesa një vit më parë”, thuhet në analizën e Institutit për Politika Zhvillimore.

Në këtë analizë janë prezantuar edhe shpenzimet e një konsumatori familjar që shpenzon më shumë energji elektrike.

“Në muajin janar ai do të paguante 32% më lirë sikur të paguante me tarifat e propozuara të energjisë elektrike. Edhe pse në muajin prill ai paguan megjithatë 7% më shumë me strukturën e re tarifore, në totalin vjetor shpenzimi i tij sipas llogaritjes sonë është ulur për 25.5%”, potencohet në analizën e INDEP-it.

Ymer Fejzullahu nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë në këtë tryezë diskutimi ka thënë se shtytja për ndryshimin e strukturës tarifore ka qenë ndryshimi i legjislacionit primar gjatë verës së vitit të kaluar.

“Në verën e vitit të kaluar kemi pasur ndryshime të legjislacionit primar. Këto ndryshime kanë rrjedhë si ndryshime që edhe ne si Kosovë edhe ZRRE-ja është e obliguar që të jetë në harmoni me pakon e tretë të legjislacionit europian”, tha Fejzullahu.

Ai gjithashtu tha se ky Ligj e ka obliguar ZRrE-në që brenda 9 muajve ta bëjë këtë ndryshim.

Sa i përket kategorive në nevojë, të cilat në të kaluarën ZRrE-ja i ka mbrojtur përmes bllok-tarifave, Ymer Fejzullahu ka thënë se do të krijohet një fond për mbështetjen e tyre.

“Përgjegjëse janë tri ministri, me mbështetjen ose ndihmesën e konsumatorit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Financave dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Këto ministri janë të obliguara që konsumatorët të cilët nuk munden me pagu koston e energjisë elektrike që reflektojnë në kosto, që ajo kategori e konsumatorëve të mbështetet, të subvencionohet përmes atij fondi”, potencoi Fejzullahu.

Burim Ejupi nga INDEP tha se ata që do të humbin nga kjo strukturë e re tarifore janë bizneset bujqësore, të cilat marrin 40 milionë euro subvencione në vit dhe ato të ndërtimtarisë.

“Puna është kush po humb këtu. Kjo është një farë Robin Hudi, merrja të varfrit e jepja të pasurit”, nënvizoi Ejupi.

Struktura e re e propozuar tarifore bazohet në heqjen e tarifave sezonale dhe bllok-tarifave dhe mbajtjes së tarifave të larta dhe të ulëta (ditën dhe natën). Gjithashtu është propozuar edhe ulja e tarifës fikse nga 2.5 euro për njehsor në 1.8 euro.

Thjeshtësohen Tarifat e Energjisë

Në propozimin e strukturës së re tarifore elementi më i rëndësishëm është heqja e bllok-tarifave me bazë konsumin dhe tarifave sezonale.

“Me propozimin e ri tarifor do të eliminohen tarifat sipas blloqeve të nivelit të konsumit dhe do të kalohet në tarifa mesatare ditore (ditë/natë) për çdo kWh(kilovat për orë) pavarësisht sasisë së konsumuar. Në këtë mënyrë secili konsumator do të ketë shumë të thjeshtë të llogarisë faturën e tij dhe të planifikojë konsumin sipas nevojës”, thuhet në propozimin për strukturën e re tarifore të publikuar nga ZRrE-ja.

Rreth heqjes së bllok-tarifave në analizën e INDEP-it thuhet se kjo dekurajon efiçiencën në konsum të energjisë elektrike pasi vendosja e bllok-tarifës ka pasur si synim nxitjen e ruajtjes së efiçencës së energjisë në njërën anë dhe të sigurimit se kategoritë me të ardhura të vogla të shoqërisë kanë çmime të përballueshme të energjisë.

Kurse sa i përket heqjes së tarifave sezonale, në analizën e INDEP-it thuhet se kjo ka implikim për konsumatorët, sepse po bëhet menjëherë pas kalimit të sezonit të lartë ku çmimet kanë qenë më të larta.

“Pra heqja e tarifës sezonale ka për shkaktar edhe rrezikun e mungesës së furnizimit me energji,” potencohet në analizën e strukturës së re tarifore të propozuar nga ZRrE nga INDEP-i.

Në analizë është propozuar që të mbetet në fuqi struktura aktuale e tarifave, ndërsa nëse ZRRE-ja insiston në këtë ndryshim atëherë kjo të prolongohen deri në fund të muajit tetor, pra në fund të periudhës së verës.

Me 17 mars të vitit 2017, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka hapur thirrjen për diskutime sa i takon strukturës së re tarifore të çmimeve me pakicë të energjisë elektrike.

http://kallxo.com/paralajmerohet-liberalizmi-tregut-te-energjise-elektrike/