Mbledhja e Qeverisë së Kosovës - Foto: ZKM

Imer Beka: Prokuroria Speciale Kompetente ta Hetojë Pagën e Kryeministrit

Pasi Agjencia Kundër Korrupsionit dha opinionin, sipas të cilit vendimi i kabinetit qeveritar për rritjen e pagës së kryeministrit dhe vartësve të tij është i jashtëligjshëm, KALLXO.com ka kontaktuar kryeprokurorin e Prokurorisë së Prishtinës, Imer Beka.

Sipas kryeprokurorit Beka, nëse rreth këtij rasti është bërë kallëzim penal, atëherë lënda shkon në Prokurorinë Speciale.

“Nëse është bërë kallëzim penal, atëherë kompetencën e veçantë për këtë  lëndë e ka Prokurorina Speciale, bazuar në Ligjin për kompetencat e veqanta te Prokurorisë Speciale”, tha për KALLXO kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka.

Sot gjatë ditës, Agjencia Kundër Korrupsionit i ka përcjellë kryeministrit dhe vartësve të tij opinionin lidhur me vendimin e Qeverisë të 20 dhjetorit 2017, i cili ka të bëjë me rritjen dhe caktimin e pagave të disa pozitave në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Sipas opinionit të AKK-së, është shfaqur situata e konfliktit të interesit “rast për rast” te votimi (aprovimi) dhe nënshkrimi i vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave të disa pozitave në kabinetin qeveritar.

Po ashtu, thuhet në opinion, zyrtarët e lartë publikë që kanë votuar këtë vendim kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, konkretisht me konfliktin e interesit “rast për rast”, dispozitat e caktuara që rregullojnë “Veprimet e ndaluara për zyrtarin e lartë“, si dhe shumicën e dispozitave që përcaktojnë “Parimet e veprimit dhe mosveprimit të zyrtarit të lartë publik”.

I pyetur rreth këtij opinioni, këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Halil Matoshi tha për KALLXO.com se AKK nuk mund ta shpallë të jashtëligjshëm një vendim të tillë.

http://kallxo.com/qeveria-opinioni-i-agjencise-kunder-korrupsionit-nuk-eshte-obligativ/

Matoshi tha se opinioni i Agjencisë Kundër Korrupsionit nuk është obligativ.