Pamje nga seanca e sotme e gjykimit të imamëve - Foto: KALLXO.com

Imamët Kosovarë të Akuzuar për Terrorizëm Thonë se ISIS Ka Kërkuar Vrasjen e Tyre

Në gjykimin e Fuad Ramiqit dhe katër imamëve Bedri Robajt, Idriz Bilibanit, Enes Gogës dhe Mazllam Mazllamit, të cilët po akuzohen për vepra që lidhen me terrorizëm dhe thirrje për rezistencë, e dhanë mbrojtjen të akuzuari Idriz Bilibani dhe Enes Goga, kurse Bedri Robaj vendosi që të mbrohej në heshtje.

Bilibani dhe Goga deklaruan se emrat e tyre janë publikuar në një gazetë zyrtare të ISIS –it, në bazë të së cilës kërkohej që të vriteshin disa imamë të Ballkanit e në mesin e të cilëve figurojnë edhe emrat e tyre.

Sipas dy të pandehurve, në këtë gazetë kërkohej që të vriteshin imamët jobesimtarë apo imamët që nuk i përkisnin ideologjisë së ISIS-it.

Robaj kur u deklarua tha se dëshiron që ta shfrytëzojë të drejtën e tij që të mbrohet në heshtje por që në tërësi mbetet prapa deklaratave të dhëna më herët në Polici dhe Prokurori.

I akuzuari Idriz Bilibani gjatë kohës sa e dha mbrojtjen kur u pyet nga mbrojtësi i tij Avdullah Robaj si dhe nga prokurori special Haki Gecaj për deklaratën e dhënë në Polici tha se e ka dhënë pa përkthyes zyrtar por vetëm me ndihmën e avokatit të tij.

Bilibani gjithashtu deklaroi se përkundër faktit se ligjëratat në lidhje me fenë islame i ka mbajtur si në Kosovë ashtu edhe në vende të ndryshme të Europës, ai asnjëherë nuk ka ligjëruar në gjuhën shqipe por vetëm në gjuhën boshnjake pasi që ajo është gjuha të cilën ai e kupton.

Pasi që avokati Abdullah Robaj kërkoi të dinte nga i mbrojturi i tij nëse ai me anë të një ligjërate të tij, e cila është objekt i akuzës, ka përcjellë mesazhe të cilat mund ta kenë shtyrë dikë që t’i bashkohen organizatës “Al Nusra” siç thuhet në aktakuzë, imami e mohoi këtë gjë duke u shprehur se ai asnjëherë nuk ka përmendur organizatën “Al Nusra” në ligjëratat e tij.

“Nuk është e vërtetë asnjëherë që në kuadër të ligjërimeve që i kam bërë të kem përcjellë mesazhe që ata t’i nxisë të shkojnë dhe të inkuadrohen në organizatën terroriste “Al Nustra”. Në ligjëratën time as që i kam përmendur këto organizata terroriste”, u shpreh Bilibani.

Kur u pyet nga mbrojtësi i tij nëse ai i njihte personat të cilët merrnin pjesë në ligjëratat e tij dhe nëse e njihte Qëndrim Kovaqin, imami u shpreh se edhe pse ligjëratat e tij kanë qenë të tipit të hapur ka pasur mundësi të marrë pjesë kushdo që ka dëshiruar. Ai tha se shumicën prej tyre i ka njohur, ndërsa për Qëndrimin tha se e ka njohur nga xhamia.

“Qëndrimin e kam njohur por jo përmes ligjëratave por e kam njohur në xhami sepse unë ligjëratat i kam mbajtur në gjuhën boshnjake e ashtu siç e ka përmendur edhe babai i tij, Qëndrimi nuk e ka njohur dhe nuk e ka kuptuar gjuhën boshnjake. Por vlen të theksohet se Qëndrimi ka ardhur në organizatë që ta mësojë Kuranin por jo tek unë. Unë nuk i kam mësuar për Kuranin”, deklaroi Bilibani.

Ndërsa për Hamdi Krushën tha se atë e ka njohur ngase që të dy kanë shkuar në të njëjtën xhami. Për vdekjen e tij tha se më pas kishte kuptuar nga mediat.

Duke shtuar se nga ligjëratat e tij nuk ka pasur asnjë mundësi që të ndikojë apo ta nxisë Hamdiun apo ndokënd tjetër që të shkojë në Siri.

Imami po ashtu u pyet edhe në lidhje me Zeqirja Qazimin dhe ligjëratën në të cilën kishte ligjëruar së bashku me të, për çka imami Bilibani tha se Qazimin e njeh nga studimet në Kajro dhe se kjo kishte qenë arsyeja se pse e kishte ftuar në atë ligjëratë. Në lidhje me personat që kishin qenë të pranishëm në ligjëratë, imami deklaroi se nuk i ka njohur asnjërin prej tyre.

“Gjatë ligjërimit tim në Gjilan ka përkthyer Zeqirja Qazimi atë çka unë kam ligjëruar por unë nuk e kam vërejtur që ai ka dalë me fjalë të tija jashtë ligjërimit tim dhe temave të cilat i kam ligjëruar unë”, tha imami Bilibani.

Kurse imami Goga në lidhje me një pjesë të ligjëratës së tij, e cila është edhe objekt i aktakuzës: “A u çlirua Roma, Jo nuk u çlirua Roma, Jo kjo Roma e vogël qyteti i vogël në Itali, por Roma në fjalorin e Pejgamberit është krejt perëndimi, ka me u zhduk pre çkahit, prej kufrit, prej kryqit ka me hy kush bajraku, lajlahi lajllah muhamet… , ku je ti dhe unë a jemi tu punu me evladë tonë”.

Për thënien në fjalë Imami tha se kjo është thënie profetike/hadith e cila gjendet në dhjetëra koleksione të thënieve të tubuara nga profeti, me ç’rast trupit gjykues i dorëzoi disa kopje të disa botimeve të librave të shenjtë ku përmendet kjo thënie.

“Çdo besimtar i besimit islam ka obligim të besojë në librat e shpallur qiellorë, në të dërguarit e Zotit dhe në thëniet e tyre. Rrjedhimisht besimtari duhet ta besojë bindshëm çdo thënie profetike”, u shpreh Goga duke shtuar se parimisht nuk mund të jesh një mysliman suni pa besuar në hadithe, sidomos në hadithin në fjalë.
Në lidhje me fjalët që përmenden në këtë ligjëratë si çlirimi i Romës, imami Goga tha se koncepti islam në lidhje me çlirimin nënkupton çlirimin nga idhujtaria dhe besimet e ndryshme në monoteizëm, besimi në një Zot dhe ky proces ndodh vetëm me bindje të lirë, me vullnet dhe asnjëherë me dhunë dhe detyrim. “Çlirimi nënkupton vetëm bindjen dhe vullnetin e lirë, asgjë më shumë”, deklaroi imami.

Madje i akuzuari Enes Goga tha se ndihet i turpëruar dhe i ofenduar ngase edhe si individ edhe si qytetar i Kosovës asnjëherë nuk ka provokuar mosdurim fetar, specifikisht në raport me “vëllezërit shqiptarë të besimit katolik”.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.