Hamdi Ibrahimi Flet për Largimin nga Banesat në ‘Dardani’

Hamdi Ibrahimi, kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, në një konferencë për shtyp pas largimit të disa banorëve nga banesat e uzurpuara në Lagjen “Dardania” të kryeqytetit, shprehu habinë pse gjykata që drejton po akuzohet për këtë çështje.

“Ne e kemi zbatuar vendimin e formës së prerë dhe nuk e di se pse hedhet faji tek gjykata,” tha Ibrahimi.

Ai tregoi edhe arsyen e thirrjes së konferencës për medie.

“Në javën e fundit kjo gjykatë në zbatim të një vendimi të formës së prerë vendim ky që ka shumë vite që është i plotfuqishëm dhe që do të duhej të ishte i ekzekutuar, kanë dalë shumë informata që kanë shkaktuar huti se çfarë është duke ndodhur me veprimet e kësaj gjykate  dhe këto deklarata nga shumë individë në opinion kanë shkaktuar një pakënaqësi dhe opinion se gjykata po merr një veprim që ndoshta për shumë arsye  nuk do të duhej ta merrte, të paktën në këtë kohë,” tha Ibrahimi.

Ibrahimi tregoi se është takuar me një grup qytetarësh të larguar nga banesat në “Dardani”.

“Unë kam pritur një grup të qytetarëve që janë nxjerrë nga banesat sepse e kam obligim të dëgjo cdo qytetarë j dhe ne ua kemi bërë të qartë që jemi duke zbatuar një vendim të plotfuqishëm që daton nga viti 2008 dhe në vitin 2010 e ka marrë formën e plotfuqishme,” sqaroi Ibrahimi.

Kryetari i themelores në Prishtinë njoftoi edhe çfarë i kanë kërkuar këta qytetarë.

“Ata kanë kërkuar që të ndërpritet procedura e ekzekutimit dhe të qëndrojnë në banesa për 1 vit, por unë i kam sqaruar se nuk e kam atë të drejtë. Ligji i Procedurës Përmbarimore parasheh disa raste se kur me kërkesë të kreditorit mund të pezullohet procedura e ekzekutimit,” tha Ibrahimi.

Ai i cilësoi dezinformata lajmet se gjykata ka vendosur të mos zbatojë vendimet e formës së prerë. Ibrahimi u shpreh i vendosur për të kundërtën e kësaj.

“Çdo lakim i Gjykatës Themelore në Prishtinë, cdo lakim i cfarëdo emri i kësaj gjykate  se kanë ndërmarrë ndonjë veprim për moszbatim të vendimeve të formës së prerë është vetëm një dezinformim qëllimkeq,” tha Ibrahimi.

Dje disa nga gratë e familjeve të dëbuara nga banesat në “Dardani” shkuan te shtëpia e Shpend Ahmetit, ndërsa Hamdi Ibrahimi i cilësoi të pamatura deklaratat e kryetarit të Prishtinës.

“Dje ka pas shumë deklarata që mund  të jenë më shumë se të pamatura nga një person me pozitë shumë të lartë-Kryetari i Prishtinës. Sjellja dhe deklaratat e Shpend Ahmetit janë të papranueshme,” tha Hamdi Ibrahimi.

KALLXO.com e kontaktoi edhe Shpend Ahmetin për ta pyetur rreth atyre që i tha për të kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë Hamdi Ibrahimi por nuk pranoi përgjigje nga ai gjatë ditës.