I Dyshuari Turk Për Trafik Organesh Jep Deklaratë në Prishtinë

Demirkol, i cili kërkohet për të ashtuquajturën çështja “Medicus”, në të cilën pesë persona janë dënuar për përfshirje në trafikim organesh, u dorëzua në Prishtinë më 25 janar për të dhënë një deklaratë para prokurorëve, tha për BIRN ditën e mërkurë avokati i tij.

Në këmbim të kësaj, Dermikol kërkoi heqjen e urdhër arrestit të Interpolit që hyri në fuqi në vitin 2014.

Në shkurt të vitit 2013, Dermikol duhet të dëshmonte me anë të një lidhje me video gjatë çështjes “Medicus”, por refuzoi ta bënte këtë, duke thënë se ligji turk i jepte atij të drejtë të refuzonte sepse ai ishte doktor.

Demirkol akuzohet për trafik organesh, së bashku me një doktor tjetër turk, Yusuf Sonmez, i cili mbetet i lirë.

Prokurorët dyshojnë se një grup njerëzish sollën dhurues të varfër dhe blerës të pasur në klinikën “Medicus” në Prishtinë, ku u zhvilluan transplante veshkash dhe organet iu shitën marrësve të pasur.

Avokati i Demirkol, Ismet Shufta, tha se Demirkol mbërriti në Prishtinë më 25 janar dhe u largua për në Turqi të njëjtën ditë.

Shufta tha se Demirkoli në fillim kërkoi garanci nga misioni i sundimit të ligjit të BE-së në Kosovë dhe policia e Kosovës që ai s’do të arrestohej kur të hynte në vend.

“Ai garantoi gjithashtu se në të ardhme do t’i përgjigjet të gjitha ftesave të gjykatës dhe prokurorit,” tha Shufta.

Avokati shtoi se Demirkol e ka vizituar Kosovën disa herë dhe se e njihte Sonmezin dhe mjekë të tjerë në klinikën “Medicus”.

“Demirkol ka punuar në klinikën “Medicus”, por ka qenë atje si kirurg i përgjithshëm. Ai nuk ka marrë pjesë kurrë në ndonjë operacion transplanti.  Ai i mohon të gjitha akuzat”, tha Shufta.

Klinika “Medicus” është përmendur gjithashtu në një raport të Këshillit të Europës, i cili hodhi dyshimet se elementë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë tregtuar organe të të burgosurve gjatë konfliktit të vitit 1999.

Hetuesit e mbyllën klinikën në vitin 2008 dhe që atëherë ajo është shitur.