Halim Gecaj, Skenderaj. Foto: Kallxo.com

I Dënuari me Burg Mban Pozitën e Drejtorit në Komunë

Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në komunën e Skenderajt po vazhdon ta mbajë këtë pozitë pavarësisht se është gjetur fajtor në një akuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Halim Gecaj është dënuar më 23 tetor të këtij viti nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, së bashku me një tjetër të akuzuar për një akuzë të ngritur në kohën kur ka qenë drejtor për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Skenderaj.

Gjykata e ka dënuar Gecajn me 6 muaj burgim, por dënimi me pëlqimin e të akuzuarit do të zëvendësohet me gjobë, të cilën duhet ta paguaj brenda tre muajsh.

I dënuar me minimumin e paraparë për këtë vepër penale, sipas aktakuzës, Gecaj ka dhënë në shfrytëzim personave privat pronën e komunës pa miratimin e Kuvendit të komunës 13 lokale afariste, si dhe 24 prona në shfrytëzim të përkohshëm, që të gjitha në kundërshtim me ligjin.

Ndonëse i dënuar me burgim me 6 muaj burgim për keqpërdorim detyre, ish drejtori i Gjeodezisë, Kadastrit dhe Pronës në Komunën e Skenderajt, po ushtron pozitën e tij të drejtorit në Qendrën për Punë Sociale në komunën e Skenderajt.

Gecaj po e kundërshton vendimin e gjykatës.

“Konsideroj se ky vendim është skandaloz për ne dy drejtor që jemi shpallë fajtor, dhe nuk është lëshu me arsyeshmërinë të atyre vendimeve apo kontratave që janë bërë për dhënien në shfrytëzim të përkohshëm të pronës komunale sepse në këtë formë veprojnë të gjitha komunat dhe të gjitha komunat veprojnë në bazë të rregulloreve komunale dhe ne jemi dënuar se pse i kemi dhënë ato prona në shfrytëzim të përkohshëm në bazë të rregulloreve komunale”, tha Gecaj për KALLXO.com.

Ai ishte akuzuar për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale për persona privatë.

Gecaj shtoi se me të pranuar sapo ta marrë aktgjykimin, ai beson se do të bëjë ankesë.

Ndërsa Hajriz Koci, zëdhënës i komunës së Skenderajt, tha për KALLXO.com se Gecaj ka vepruar në bazë të rregullores së Kuvendit dhe se komuna nuk është e obliguar që të marrë masa ndaj tij në këtë fazë të procesit.

“Me këtë vendim nuk obligohet institucioni (komuna) që të marrë masa, plus kësaj edhe vendimi nuk është përfundimtar, prandaj personi i cili akuzohet në këtë rast, zoti Gecaj, do të përdorë të drejtën e ankimimit, dhe më pas nëse gjykata në shkallë të dytë që ne besojmë se do të vendosë në favor të tij ose do të vendosë ndryshe, por sidoqoftë ne si institucion do të respektojmë vendimin e gjykatave”, tha Koci.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Gecaj nga 17 nëntori 2010 e deri më 08 korrik 2013, në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në Komunën e Skenderajt ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që tjetrit t’i sjellë dobi pasurore.