Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

I Akuzuari Shpreh Keqardhje për Vrasjen

Në gjykimin e Meriton Aliut, i akuzuar për vrasjen e 20-vjeçarit Samir Rexha në gusht të vitit të kaluar, në Ferizaj, është dhënë fjala përfundimtare nga palët.

Në fjalën e tij përfundimtare, i akuzuari i kërkoi sërish falje familjes së të ndjerit dhe shprehu keqardhje për atë që ka ndodhur.

“Unë qëndroj pas fjalëve të avokatit tim. E po ashtu po i kërkoj falje edhe njëherë familjes së të ndjerit për atë çfarë ka ndodhë… Zotëri gjykatës dua të them se një gjë të tillë nuk e kam dëshiruar të ndodhë asnjëherë”, tha Meriton Aliu para Gjykatës në Ferizaj, raporton KALLXO.com.

Ndërsa, avokati me autorizim i të pandehurit, Avni Ibrahimi, në fjalën e tij përfundimtare shprehu keqardhje për pasojat e shkaktuara familjes së dëmtuar me vdekjen e Samir Rexhës.

Më tutje, avokatit tha se në bazë të provave dhe fakteve të shqyrtuara, duke shikuar vlerësimin juridik të veprës penale nga ana e prokurorisë, mund të konstatoj se ajo nuk është e bazuar, “pasi që kemi të bëjmë me vrasje të bërë në tronditje të fortë në afekt dhe se shkrepjen e armës i pandehuri e ka ndërmarrë në rrethana të një sulmi dhe veprimit të kërcënimit me armë nga ana e tani të ndjerit”.

“Nga të gjitha provat dhe rrethanat e shikuara, i pandehuri mund të them se ka shkrepur nën ndikim të frikës pasi që i njëjti në të gjitha deklaratat e dhëna nuk e ka kontestuar faktin e shkrepjes por që nën trysninë e kërcënimit me armë të drejtuar kah trupi i tij i pandehuri ka vepruar në rrethanat e mbrojtjes së nevojshme e që si rrjedhojë janë shkaktuar pasojat kundrejt të ndjerit”, theksoi avokati, raporton KALLXO.com.

Gjithashtu, gjatë fjalës së tij avokati Ibrahimi më tutje elaboroi të gjitha faktet, provat dhe rrethanat të cilat sipas tij e kanë shtyrë të pandehurin që të ndërmarrë një veprim të tillë por që gjithmonë ky veprim ka qenë nën suazat e mbrojtjes së nevojshme, duke i propozuar gjykatës që mbi bazat të cilat i ka prezantuar mbrojtja ta lirojë të pandehurin dhe të hedhë aktakuzën poshtë.

http://kallxo.com/ndihet-pafajshem-per-vrasjen-qe-rrodhi-nga-nje-mosmarreveshje-e-mehershme/

Ndërkaq prokurori i rastit, Arben Ismajli, në pika të shkurtra e elaboroi atë më kryesoren duke deklaruar se mbetet në tërësi pranë aktakuzës së ngritur ndaj të pandehurit Meriton Aliu dhe shtoi se gjatë shqyrtimeve gjyqësore fajësia e të pandehurit është vërtetuar edhe nga deklaratat e dëshmitarëve por që edhe i njëjti ka pranuar vet se ka shtënë në drejtim të të ndjerit duke pranuar fajësinë por duke u thirrur në mbrojtje të nevojshme, e cila nuk duhet të merret parasysh nga Gjykata.

Po ashtu, i njëjti kërkoi nga Gjykata që si rrethanë rënduese të ketë parasysh moshën e re të të ndjerit.

Fjalën e prokurorit e mbështetën edhe mbrojtësi i viktimave, Sadat Topalli dhe përfaqësuesja e familjes së dëmtuar, motra e të ndjerit Samire Rexha, ku kërkuan nga Gjykata që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

http://kallxo.com/nena-e-te-riut-te-vrare-nuk-mundi-te-deshmoje/

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 27 tetor.