Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

I akuzuari se Deshi t’i Bashkohet ISIS-it Bashkë me Gruan Nuk Paraqitet në Gjykatë

Ibrahim Fazlija, i akuzuari se deshi t’i bashkohej organizatave ekstremiste ISIS e “Al Nusra” së bashku me bashkëshorten e tij, nuk është paraqitur në sallën e gjykatës në Departamentin e Krimeve të Rënda për t’u përballur me akuzat e Prokurorisë.

Kryetari i trupit gjykues, Vehbi Kashtanjeva, bëri të ditur se ndaj të njëjtit do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim.

Sipas aktakuzës, Fazlija më 8 nëntor të vitit 2015 së bashku me bashkëshorten e tij, Fatljume Demiri, kishin tentuar që t’i bashkëngjiten organizatave terroriste ISIS dhe “Al Nusra” në Siri.

Prokuroria pretendon se ata kanë tentuar t’u bashkëngjiten këtyre organizatave kur së bashku me bashkëshorten e tij kishin udhëtuar për në Stamboll të Turqisë përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Por, gjithnjë sipas aktakuzës, pas arritjes në Aeroportin e Stambollit “Ataturk”, të njëjtëve u është refuzuar hyrja nga autoritetet turke, ashtu që më 9 nëntor 2015 janë deportuar nga Turqia për në Kosovë për arsye të sigurisë publike në Turqi.

Me këtë, Ibrahim Fazlija ngarkohet me veprën penale bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit së Kosovës, në tentativë, nga neni për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosur jashtë vendit.