Çekani i gjykatës - Foto: KALLXO.com

I Akuzuari për Grabitje në Pompën e Benzinës e Pranon Fajësinë

Pas leximit të aktakuzës, i pandehuri Denis Avdija e ka pranuar fajësinë për veprën penale – grabitje.

Para trupit gjykues, i pandehuri deklaroi: “Vet e kam kry veprën, pa ndihmën e kërkujna hiç. Nuk jam kanë vetvetja. Jam kanë nën ndikimin e marihuanës. Veç kur më ka shkrepë alltija”.

NDËRLIDHUR

Të akuzuarit e tjerë nuk e pranuan aktakuzën. Njëri prej tyre, Ismet Krasniqi, tha se nuk ka lidhje me këtë rast.

Sipas aktakuzës, më 6.3.2016, rreth orës 20:30, në fshatin Arllat të Drenasit, të pandehurit Denis Avdija dhe Argjend Gashi, të armatosur dhe me maska të zeza në kokë, hynë në pompën e derivateve “Euro Jon” me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm pasuror.

Ata e kërcënojnë me armë punëtorin e pompës Bedri Krasniqin nga i cili kërkojnë para. Derisa Bedriu po e fuste dorën në xhep për t’i nxjerrë paratë, i pandehuri Denis Avdija shtien me armë në drejtim të tij dhe e qëllon në këmbën e djathtë. Pastaj e godet në shpinë, ia marrin paratë dhe largohen nga vendi I ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri tjetër, Naser Cena, u ndihmonte duke e përcjellë situatën nga jashtë. Pastaj së bashku me të pandehurit nisen për në Ferizaj, ku të njëjtëve ua paguan hotelin për të fjetur.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Ismet Krasniqi në ora 14:00 kontakton përmes telefonit të pandehurit e lartpërmendur, pastaj takohen në parkingun e supermarketit “Sharri” në Llapushnik, duke iu dhënë udhëzime për lokacionin e grabitjes. Gjithashtu, ai i kontakton gjatë dhe pas kryerjes së veprës penale të grabitjes.

Denis Avdija dhe Argjend Gashi sipas aktakuzës akuzohen për veprën penale grabitje, ndërsa Naser Cena dhe Ismet Krasniqi akuzohen për ndihmë në kryerjen e veprës penale.

Kryetari i trupit gjykues Vehbi Kashtanjeva mori vendim që të akuzuarve Denis Avdija dhe Argjend Gashi t’u vazhdohet masa e paraburgimit edhe për dy muaj.

Naser Cena u lirua nga paraburgimi dhe të njëjtit iu shqiptua urdhri i paraqitjes në stacionin policor në Pejë një herë në javë.

17 Prill 2017 - 21:05

Kastriot Jëlliqi, Blerta Iberdemaj 17/04/2017 - 21:05
NDËRVEPRIMI0