Skender Hyseni, Ministër i Punëve të Brendshme I Foto: Kallxo.com

Hyseni: OSHP Ka në Dorë Çështjen e Targave

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka dhënë shpjegime sot në Kuvendin e Kosovës në lidhje me mungesën e tabelave të automjeteve.

Ai “fajin” për këtë stërzgjatje të procesit tenderues ua ka hedhur ankesave të kompanive të tjera tenderuese.

Ministri Hyseni tha se tash gjithçka është në dorë të OSHP-së.

“Dy herë është shpallur tenderi për pajise të qendrave të regjistrimit të automjeteve me tabela. Natyrisht që ky është një proces tenderues i stërzgjatur, mirëpo kjo është duke ndodhur për shkak të ankesave të disa kompanive tenderuese. Është afati i fundit që këto 2-3 ditë, që OSHP-ja duhet ta përmbyllë çështjen e ankesave. MPB ka kohë që e ka kryer pjesën e vet të punës dhe është në duar të OSHP-se nëse ajo punë është përmbyllur në pajtim me ligjin apo jo. Ne vet kemi kërkuar që kjo të shihet me kujdesin më të madh”, ka deklaruar ministri Hyseni.

Ai ka siguruar edhe njëherë se këto targa janë shumë të përkohshme.

Mirëpo, deputeti nga radhët e Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, ka kërkuar nga Hyseni të tregojë nëse kjo vonesë po bëhet për “pazare”.

Ministri i Brendshëm u përgjigj duke thënë se nuk do ta marrë rolin e prokurorit apo gjykatësit dhe premtoi se nuk do nënshkruajë asgjë të dyshimtë.

“Asnjëherë nuk do ta marr rolin e prokurorit e gjykatësit, por ajo që ju siguroj juve këtu është që ajo marrëveshje asnjëherë s’ka ardhur në tavolinën time për nënshkrim. Unë asnjëherë nuk do të nënshkruaj diçka që është e dyshimtë. Nënshkrimi i ministrit në radhë të parë nënkupton për gjetjen e fondeve për atë tender. Cili do të që të jetë vendimi i OSHP-së, MPB është e gatshme që plotësisht ta zbatojë”, u përgjigj Skender Hyseni.

KALLXO.com dhe “Gazeta JNK” kanë shkruar në vazhdimësi për tenderin e targave.

http://kallxo.com/zevendes-ministri-mpb-se-kerkon-hetim-te-prokurorise-per-targat/

Dyshimet në Tenderin e Shtrenjtë që Solli Targat Provuese