Humori, Mënyra e Muhaxherit për t’i Relativizuar Aferat

Pejës iu desh të presë 14 vjet pas luftës që për herë të parë një qytetar “pejon” t’i bëhet kryetar. Gazmend Muhaxherit i është dashur të humbë zgjedhje e të  ndërrojë  parti, në mënyrë derisa t’i vie ‘kismeti’ për ta drejtuar komunën në perëndim të Kosovës, njërën ndër më të mëdhatë në vend.

Me deklarata bombastike e premtime të mëdha, Muhaxheri në vitin 2013 u tha pejanëve se ka guxim ta qeverisë drejt Pejën me rrethinë. Deklaratat bombastike dhe premtimet e mëdha atij iu kthyen në “hajr” në zgjedhjet lokale të nëntorit në 2013-në. Ai fitoi zgjedhjet si kandidat i LDK-së, duke mposhtur rivalin e tij të kahershëm, Ali Berishën e AAK-së.

Deklaratat bombastike nuk i ka ndalur Muhaxheri as kur erdhi në pozitë. Fjalët e të parit të Komunës së Pejës, shpesh herë tingëllonin qesharake, edhe atëherë kur bëhej fjalë për aferat në qeverisje. Dy vitet e tij të qeverisjes karakterizohen në projekte të turizmit, bujqësisë, arsimit dhe sportit, bashkë me akuzat për nepotizëm dhe afera në zyrën e prokurimit, aty ku jepen tenderët.

Dy vjet pasi e ka marrëkontrollin e Pejës, Gazmend Muhaxheri ka dalë para Jeta Xharrës dhe asamblistëve të  Kuvendit Komunal të Pejës për të debatuar rreth realizmit të  premtimeve të tij të dhëna dy vite me parë.

Muhaxheri në 2 minutëshin e premtimeve në  emisionin “Jeta në Komunë”  para dy viteve, kishte thënë së koncepti i tij qeverisës mbështetej në disa pika: zhvillimin e turizmit, bujqësisë, arsimit dhe investimet në trevën e Rugovës. Të gjitha premtimet e dhëna thotë t’i ketë realizuar brenda këtyre dy viteve.

Në debat ai numëroi projektet e realizuara në sektorin e turizmit këto dy vite në udhëheqjen e tij si Kryetar Komune ndërsa Jeta Xharra ia kujtoi se kishte premtuar 1.5 milion euro investime në vit në bujqësi. Muhaxheri kishte premtuar edhe shpërndarjen e 500 koshereve për bletarët, por ajo çka kishin marrë bletarët pejanë ishin vetëm kosheret, pa bletë.

Muhaxheri tha së ka ndërruar mendjen dhe ka vendosur që me mirë është mos të shpërndahen fare bletët nga komuna. Ketë vendim ai tha së e ka marrë “tu pa, tu bo”.

“Këtu qëndron mençuria e udhëheqësit edhe  liderit për me ndërru atë çka mendon. Kur e kemi pa së një koshere me bletë kushton 98 euro dhe një koshere tri katshe pa bletë kushton 48 euro, ne duhet 50 euro si komunë me pagu për me bo atë bletë, ndërsa bletarit i kushton 5 euro me bo atë punë. E kemi zgjedhur mënyrë shumë me të letë”, tha Muhaxheri.

Ai tha së ka shpërndarë edhe lopë për fermerët e kësaj komune gjatë investimeve në bujqësi.

Shefi i Grupit të Këshilltarëve të AAK-së,Blerim Nikçi, tha se Gazmend Muhaxheri ka mashtruar banorët e Rugovës sepse nuk ka investuar as për së afërmi me ato që ka premtuar.

“Realisht rugovasit janë gënjyer me 1.5 milion euro investime në vjet. Janë bërë disa investime, janë vazhduar realisht disa projekte të rrugëve nga ish- qeverisja që është dashtë të kryhen në vitin 2014, Kryetari i ka vazhdu për vitin 2015 dhe 2016 për t’i shënuar kinse në projekte të tij“, theksoi Nikçi.

Muhaxheri tha se për dy vite ka investuar në Rugovë rreth 800 mijë euro dhe jo 1.5 milion në vit sa kishte premtuar. Por sipas tij, dy vitet e ardhshme investimet në ketë rajon do kapin shumën e 6 milionë euro.

“Jo 1.5 milion, po kanë me shku mbi 6 milionë euro investime në rrugë të Rugovës, vitin tjetër dhe 2017”, tha Muhaxheri duke shtuar së në ketë mandat ka realizuar disa rrugë të cilat kanë rëndësi të veçantë për ta zhvilluar Rugovën.

Kurse raportimi i qytetarëve në KALLXO.com përmes fotografive bëri me dije që rruga kryesore që çon për Rugovë është e kapluar nga mbeturinat.

Muhaxheri tha se kjo është si pasojë e mosmarrëveshjes së kompanisë së pastrimit dhe bizneseve të atij rajoni, duke premtuar që ky problem do të zgjidhet ketë vit përmes gjobave.

Muhaxheri gjatë debatit për Rugovën tha se e sheh veten si kryetar të komunës “deri në vitin 2054” dhe thotë së ka kohë t’i përmbushë premtimet e tij.

Lëvdata me të mëdha vetes Muhaxheri ia bën në investimet në arsim, pa pasur qejf t’i përmenden punësimet politike me militantë të LDK-së nëpër poste udhëheqëse të shkollave.

Ai thotë të ketë investuar në shumë shkolla, projekte të cilat kanë qenë të domosdoshme dhe kanë  ndikuar në drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e mësimit dhe sigurinë e nxënësve.

Fillimi i ndërtimit të shkollës së mjekësisë dhe ndërtimi i çerdhes me paratë e tatimit në pronë janë sukses i tij në këtij mandat në këtë sektor.

“Kemi caktuar prioritet dhe shumicën e shkollave i kemi bërë me nyje sanitare qysh duhet, i kemi rrethuar për të siguruar siguri në shkolla edhe i kemi bërë 9 shkolla me nxehje qendrore”, tha ai.

Jeta Xharra ia kujtoi Muhaxherit se e ka mbyllur shkollën e fshatit Nepole për shkak të numrit të vogël të nxënësve, edhe pse ka shkolla në Rugovë  me më pak nxënës se në Nepole që vazhdojnë të jenë të hapura.

Muhaxheri tha se do t’i vijë rendi edhe shkollës në Rugovës sikurse asaj në fshatin Gllaviçicë të cilat do ta kenë fatin e njëjtë me atë të Nepolës.

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avdi Shkerli, akuzoi qeverisjen e Muhaxherit se nuk po i hap konkurset drejtorë në disa shkolla por po i mban me ushtrues detyre jashtë kornizave ligjore.

Shkreli po ashtu akuzoi Muhaxherin për emërime politike dhe pa përvojë menaxhuese në poste të drejtorëve të shkollave.

Muhaxheri tha së Ministria e Arsimit nuk po lejon që të hapen konkurset për emërimin e drejtorëve të shkollave.

Jeta Xharra ia rikujtoi Muhaxherit se ushtruesi i detyrës së Drejtori të shkollës së muzikës ka kualifikimin për menaxhmet dhe informatikë dhe është militant i LDK-së.

Muhaxheri tha se ka pasur skandale me herët në këtë shkollë dhe për ketë arsyeje ka emëruar kandidatin me menaxhment dhe informatikë.

“Por ai nuk ka mi m’shu instrumentit po me menaxhu shkollën”, tha Gazmend Muhaxheri.

Po ashtu ai tha se nuk vendos drejtorë nga AAK-ja dhe Vetëvendosje sepse “nuk mund të qeveris bashkë me ta”.

Besim Qelaj, asamblisti nga PDK që është partneri i koalicionit lokal me LDK-në në Pejë, tha se ndërtimi i shkollës në lagjen “7 shtatori” është jetik për nevojat e komunitetit.

Muhaxheri premtoi që do ta ndërtojë këtë shkollë dy vitet e ardhshme, por fillimisht duhet siguruar parcelën.

Në vitet e qeverisjes së tij, Muhaxheri dotë mbahet mend edhe për heqjen e semaforëve të vetëm nga rrugët e qytetit.

Ai është arsyetuar se ata nuk janë të nevojshëm.

Ai tha së kanë realizuar të gjitha kërkesat që janë shfaqur në mbledhjet e Këshillit për Siguri në Bashkësi të cilat, sipas tij, kanë ndikuar në sigurinë e përgjithshme në qytet.

Por afërta në zyrën e prokurimit në Komunën e Pejës nuk kanë ndaluar gjatë këtyre viteve.

Tenderi për  rregullimin e shtratit të Lumbardhit ka qenë “leqja e zezë” e radhës së skandaleve në Zyrën e Prokurimit.

Muhaxheri u pyet  se pse kompania me dokumentacion të rremë ka arritur të fitojë dy herë të njëjtin tender.

Për ketë veprim, Muhaxheri thotë të mos jetë faji i zyrës së prokurimit pse janë mashtruar me ato dokumentacione.

Ai tha se kishte kërkuar që të anulohej krejtësisht ky tender por nuk ishte lejuar nga institucionet mbikëqyrëse të prokurimit.

Madje, Muhaxheri pranon që ditë me parë ka ndërruar menaxherin e zyrës së prokurimit. Ai tha të ketë vendosur ushtrues të detyrës së menaxherit të prokurimit, Haxhi Gashin, një bashkëpartiak i tij.

“Qysh nuk është i LDK-së. Me zemër e me krejt është LDK”, tha Muhaxheri.

Jeta Xharra pyeti Muhaxherin se a do t’i kositë “livadhet” , kurse përgjigja e Gazmend Muhaxherit ishte se livadhet do t’i shkelë “sa herë është nevoja”. [interaction id=”56bb00963c42ab681c600ecc”]