Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

‘Humaniteti’ i Gjykatës në Kontratat mbi Vepër

Gjykata Themelore në Prishtinë mban të punësuar për tre vjet dy punëtore momentalisht të pakualifikuara për pozitën që mbajnë.

Një raport anonim në KALLXO.com ka ngritur dyshime mbi parregullsi të mundshme në skemën e të punësuarve në pozitën e zyrtarëve ligjorë në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe konkursin e shpallur nga kjo gjykatë për 24 pozita të lira në atë departament.

KALLXO.com ka gjetur se në këto pozita të lira janë të punësuar zyrtarë me kontratë mbi vepër, e përkatësisht dy prej tyre punojnë me një kontratë të tillë tash e tre vjet.

Këtë informacion e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë Mirlinda Gashi që ka arsyetuar vazhdimin e punës së tyre me një  ‘akt humaniteti’ nga gjykata.

“Janë 2 punëtore të angazhuara me kontratë mbi vepër në pozitën e sekretareve juridike nga viti 2013, dhe tani gjykata është në pozitë shumë të rëndë se si do të zgjidhë statusin e tyre, sepse ato nuk e kanë fakultetin e kryer. Sipas rregullores, kandidatët që do të pranohen në këtë pozitë duhet të kenë fakultetin e kryer dhe largimi i tyre nga puna do të ishte akt absolutisht johuman,” tha Gashi.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka shpjeguar hierarkinë e pozitave, mënyrën e emërimit dhe kualifikimet e nevojshme për pozitat në fjalë, pra sekretarë juridikë dhe zyrtarë ligjorë.

Sipas KGJK-së emërtimi sekretar juridik që deri më tani ka nënkuptuar zyrtarë me shkollim të mesëm, do të ndërrohet në zyrtarë ligjorë për të cilët kërkohet kualifikim universitar.

KGjK-ja planifikon që pas zëvendësimit të sekretarëve juridikë me zyrtarë ligjorë, sekretarët juridikë si pozitë do të hiqen nga struktura organizative e këtij institucioni.

“Pas aprovimit të këtij udhëzimi, çdo pozitë që lirohet mbi çfarëdo bazë juridike, do të publikohet me emërtimin e parë [zyrtarë ligjorë] ku kërkohet përgatitja e diplomës universitare sipas përshkrimit të detyrave të punës,” deklaroi KGjK-ja për KALLXO.com.

Zgjatja prej tre vjetësh e kontratës mbi vepër për veprimtari kryesore në rastin e punëtoreve të Gjykatës së Prishtinës është në kundërshtim me Ligjin e Punës.

Sipas kryeinspektorit të Punës, Basri Ibrahimi, mbajtja e punëtorit për 3 vjet me radhë është në kundërshtim me Ligjin e Punës dhe nuk mund të arsyetohet me “humanitet”.

“Sa i përket Ligjit të Punës, kontrata mbi veprën (kontratë për punë specifike) asnjëherë nuk mund të shndërrohet në kontratë të  rregullt pune. Punësimi nuk është çështje ‘sociale’, por ligjore. Andaj, mbajtja e një të ‘punësuari’ për tre vjet me radhë me kontratën mbi vepër në bazë të Ligjit të Punës është joligjore,” konfirmoi Ibrahimi.

Kontrata mbi veprën ndryshe njihet si kontratë për punë specifike, ndërkaq Ligji i Punës, përkatësisht neni 8 i obligon punëdhënësit për hapjen e konkursit për çdo pozitë të lirë që do të thotë përjashton mundësinë e shndërrimit të kontratës mbi vepër në kontratë të rregullt.

“Punëdhënësi në sektorin publik është i obliguar që të shpallë konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës”.