Gjykatorja e Tribunalit te Hages

Hulumtimi për Dosjet e Hagës

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” transmetoi hulumtimin i cili tregon se si kanë dështuar institucionet e Kosovës që edhe 18 vite pas përfundimit të luftës të hetojnë dhe zbardhin krimet e luftës të kryera gjatë viteve 1998-99.

Hulumtimi tregon se askush nga Prokuroria e Shtetit nuk e ka marrë mundin t`i kërkojë dosjet nga Tribunalit i Hagës pas shuarjes së këtij Tribunali në dhjetor të vitit të kaluar.

Po ashtu në intervista ekskluzive, përfaqësues të Prokurorisë së Shtetit, dëshmitarë dhe avokatë që ishin të përfshirë në proceset  gjyqësore të Tribunalit të Hagës japin arsyet se pse janë të domosdoshme dosjet të cilat ndodhen në Hagë të jenë në arkivat e Prokurorisë së Kosovës.

Gjithashtu hulumtimi tregon për dështimin në hulumtimin e krimeve  të luftës, si nga ana e Prokurorisë, po ashtu nga Instituti për Hulumtimin e Krimeve të luftës i cili ka shtatë vite ekzistencën.

Emisioni sjell edhe detaje për hapjen e Qendrës Kosovarë të Dokumentimit, ku mund të kenë qasje të gjithë qytetarët, zyrtarët e institucioneve, qofshin ato të hetuesisë  që duan të shohin faktet rreth krimeve që kanë ndodhur në luftën e fundit në Kosovë.

Po ashtu në intervista të ndara flasin edhe dëshmitarët e Hagës dhe avokatët të cilët shprehin zhgënjimin e tyre me institucionet vendore që se kanë ndërmarrë asnjë  hap deri më sot që Dosjet e Hagës t`i kthehen Kosovës.

Në fund të emisionit do të ndiqni rubrikën “Policia” me pamje ekskluzive nga aksionet e Policisë së Kosovës në luftën kundër krimit.