Publikimi i raportit të ODës Ekonomike Amerikane | Foto: KALLXO.com

Hulumtimi: Gjykatat, Institucionet me Praninë më të Lartë të Korrupsionit

Sipas raportit të publikuar sot nga Ora Ekonomike Amerikane në Kosovë për Studimin mbi Perceptimin e Korrupsionit, i  kryer me bizneset që operojnë në Kosovë, gjykatat dalin të jenë institucionet me praninë më të lartë të korrupsionit.

Arian Zeka drejtor në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë tha se pasojat e korrupsioni i përjetojmë çdo ditë dhe ato reflektojnë shumë në të bërit biznes, në trajtimin që marrin  nga institucionet përkatëse sa i përket barazisë, në cilësinë e shërbimeve, në cilësinë e edukimit.

“Gjatë hulumtimit bizneset kanë identifikuar sistemin e drejtësisë si problemin kryesor më të cilin ballafaqohet Kosova, teksa një ministre e Qeverisë së Kosovës para disa ditësh tha se problem kryesorë për bizneset mbetet kufizimi i lirisë së lëvizjes”, tha Zeka.

Ai shtoi se Oda Ekonomike Amerikane beson se kufizimi i lirisë së lëvizjes për bizneset dhe qytetarët është pasojë dhe njëra ndër arsyet  kryesore që çon në këtë është korrupsioni.

Ndërsa ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri tha se për një sektor privat ekonomikisht të fuqishëm në Kosovë është i nevojshëm një shtet ligjor.

“Në Kosovë sipas perceptimeve të përgjithshme, animi, mita, dalin të jenë instrumente që përdorin shkelësit e ligjit të cilët i përdorin si mjete duke shkelur parimet themelore”, tha Tahiri.

Tahiri ftoi për partneritet në mes sektorit privat dhe Ministrisë së Drejtësisë për bashkëpunim në luftën kundër korrupsionit, për të cilën  tha se beson  në rezultat pozitiv.

Sipas hulumtimit nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë për të cilin janë  anketuar 214 biznese, 98% e bizneseve në Kosovë e vlerësojnë korrupsionin si problem serioz.

Sipas bizneseve, faktorët që mundësojnë korrupsionin në Kosovë janë sundimi i dobët i ligjit dhe zbatimi i mangët i ligjeve ekzistuese, mungesa e vullnetit politik, pagat e vogla dhe varfëria.

Gjykatat, Zyrat e Prokurorisë dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit sipas hulumtimit të Odës Ekonomike Amerika janë institucionet me praninë  më të lartë të korrupsionit.

Sipas hulumtimit, shqetësues është fakti se 85% e bizneseve të anketuara nuk kanë raportuar korrupsionin në organet kompetente.

“Arsyet e mos raportimit të këtyre rasteve kanë të bëjnë me frikën për hakmarrje nga institucionet përkatëse në të ardhmen dhe mungesa e besimit në institucionet gjyqësore”, thuhet në raport.

Ndërsa Agjencitë e Regjistrimit të Bizneseve, Administrata Tatimore e Kosovës, Dogana, Kuvendi i Kosovës dhe Zyra e Presidentit janë institucionet më transparente.