Hulumtimi i I(NDEP-it dhe Kolegjit "Universum

Hulumtimi: Cilësia Ndikon në Blerjen e Produkteve Vendore

Një hulumtim i INDEP-it dhe Kolegjit Universum erdhi në përfundim se më së shumti vlerësohet cilësia kur konsumatori vendos ta blejë një produkt të vendit.

Hulumtimi i Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Kolegjit “Universum” që lidhej me pasqyrimin e opinionit publik rreth konsumimit të produkteve vendore, konstatoi se 71 për qind të të anketuarve e blejnë një produkt vendor nëse binden se ai është cilësor.

NDËRLIDHUR

Pas cilësisë 46 për qind të të anketuarve marrin parasysh çmimin kur duan të blejnë një produkt të vendit, reklamat që u bëhen produkteve ndikojnë për blerje në 12 për qind të rasteve, 10 për qind vlerësohet paketimi e 6 për qind mënyra e vendosjes së produktit në rafte të dyqaneve.

Hulumtimi tregon se 60 për qind të të anketuarve kanë thënë se në shportën e tyre të produkteve në baza mujore 30 deri 70 për qind e prodhimeve janë vendore. 7 për qind të të anketuarve deklaruan se prodhimet vendore përbëjnë 70 për qind të shportës së tyre, ndërsa 27 për qind të të anketuarve thanë se prodhimet vendore i konsumojnë nën masën 30 për qind të të gjitha prodhimeve që blejnë.

Visar Kelmendi, kryetar i Klubit të Prodhuesve tha që duhet të kuptohet që pa prodhime vendore, pa investim në prodhime vendore, pa fuqizim të prodhimeve vendore nuk ka punësim, nuk ka zhvillim ekonomik.

“Prodhimi vendor dhe shërbimi krijojnë vlerën e shtuar dhe kjo vlerë e shtuar ngel dhe rritet brenda Kosovës me efekte shumë të mëdha për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, i cili duhet të vijë dhe mendoj që ka ardhë koha, e meriton kjo Kosovë me pas një zhvillim ekonomik ndryshe,” tha Visar Kelmendi.

Alejtin Berisha, drejtor ekzekutiv i Kolegjit “Universum” tha se prodhuesit vendas e mbushin buxhetin e shtetit.

“Sektori privat është i vetmi sektor që është nënkontribues në buxhetin e Kosovës, e prej sektorit privat sidomos prodhuesit vendor janë ata të cilët i japin vlerë, të cilët krijojnë vende të punës dhe të cilët janë lokomotiva e zhvillimit tonë,” tha Berisha.

Disa nga rekomandimet e këtij hulumtimi që të ndihmohet në përmirësimin e ofertës së produkteve vendore dhe stimulimin e konsumimit janë që kompanitë vendore të investojnë në marketing strategjik, të ketë statistika të veçanta për nivelin e konsumimit të produkteve vendore, të bëhen vizita studimore, etj.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri

23 Dhjetor 2016 - 18:20

Dorentina Kastrati 23/12/2016 - 18:20
NDËRVEPRIMI0