Pamje nga prezantimi i hulumtimit nga ORCA – Foto: KALLXO.com

Hulumtimi: 49 % e Drejtuesve të UP-së nuk i Justifikojnë Titujt Akademikë

49 për qind e drejtuesve të Universitetit të Prishtinës (UP) nuk i justifikojnë titujt aktualë sipas rregullativës aktuale nëse nuk u llogariten punimet në revista që nuk përmbushin parimet e përcaktuara në metodologjinë e hulumtimit. Kurse 39 për qind prej tyre të paktën kanë nga një punim në revista të dyshimta.

Këto janë rezultatet e hulumtimit të bërë nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) me titull “Integriteti Akademik i Drejtuesve  të Universitetit të Prishtinës” dhe të prezantuara pikërisht në përvjetorin e 47-të të themelimit të Universitetit të Prishtinës.

Nga 18 profesorë të rregullt të verifikuar rezulton se 9 prej tyre kanë punime në revista që nuk i përmbushin parimet e revistës së mirëfilltë. Sipas këtij hulumtimi 11 profesorë të rregullt nuk i justifikojnë titujt e tyre akademikë sipas rregullativës aktuale të UP-së nëse nuk numërohen edhe punimet në revista që nuk përmbushin parimet e revistës së mirëfilltë.

Prej 72 zyrtarëve drejtues të  UP-së të përfshirë në këtë hulumtim, 69 prej tyre u është gjetur CV-ja në web-faqen e UP-së apo vetë profesorët iu përgjigjën kërkesave të ORCA-s për ta vënë në dispozicion kur mungonte në web-faqe, ndërsa tre persona nuk i kanë dorëzuar CV-të.

“Sipas gradave dispozitat në fuqi thonë që për profesor asistent duhet pasur të paktën një punim në revistë shkencore, për profesor të asocuar tre punime në revista shkencore dhe profesor i rregullt pesë punime. Ky është minimumi i lejuar për gradat përkatëse”, potencoi Ervin Qafmolla.

Disa nga profesorët që nuk i justifikojnë titujt e tyre akademikë sipas këtij hulumtimi janë Marjan Dema, rektor i UP-së dhe profesor i rregullt, Bujar Dugolli, profesor i asocuar dhe But Dedaj, profesor asistent.

Rron Gjinovci, drejtor ekzekutiv i ORCA-s, tha se profesori i rregullt Marjan Dema ka të publikuar një punim në një revistë shkencore të dyshimtë, e cila është e listuar edhe te lista e Jeffey Beall me titull “revista potencialisht grabitqare”.

“Marjan Dema, rektor i UP-së, është profesor i rregullt dhe do të duhej t’i kishte pesë punime në revista shkencore ndërkombëtare. Ai ka marrë pjesë në gjithsej katër punime që janë të botuara në revista shkencore ndërkombëtare dhe në vetëm në dy prej tyre është autor i parë. Profesori Marjan Dema e ka një punim në një revistë që konsiderohet e dyshimtë”, tha Gjinovci.

Sipas këtij hulumtimi, Bujar Dugolli, profesor i asocuar dhe dekan në Fakultetin Filozofik ka zero punime në revista shkencore ndërkombëtare prej tri sa është dashur t’i ketë. Kurse But Dedaj, profesor asistent dhe prodekan në Fakultetin Ekonomik, gjithashtu ka zero punime në një revistë shkencore ndërkombëtare prej një sa është dashur të ketë sipas dispozitave në fuqi.

Ismajl Kurteshi, anëtar i Komisionit parlamentar për Arsim, tha se janë të gatshëm t’i ngrisin këto çështje sepse janë të interesuar të kontribuojnë në ngritjen e cilësisë në arsim.

“Do të angazhohemi që të rritet transparenca e universiteteve dhe të gjitha institucioneve arsimore sepse konsiderojmë që përveç se kjo është një obligim ligjor është edhe interes i joni i përgjithshëm që ta dimë se çka po ndodhë nëpër institucionet tona arsimore”, tha Ismajl Kurteshi.

Kurse nga ata që i justifikojnë titujt e tyre akademikë sipas këtij hulumtimi janë Naser Sahiti, prorektor i cili ka nëntë punime shkencore, Kreshnik Hoti, prodekan dhe profesor asistent, i cili i ka dhjetë punime shkencore dhe Albulena Blakaj prodekane në Fakultetin Filologjik i ka dy punime në revista shkencore edhe pse sipas rregullave në këtë fakultet nuk kërkohen punime shkencore po pjesëmarrje në seminare.

Disa nga rekomandimet e hulumtimit të ORCA-s janë që UP-ja të hartojë dhe të miratojë një rregullore të re dhe të detajuar për çështjen e avancimeve akademike, problemi i botimeve në revista të dyshimta duhet të marrë vëmendje të veçantë, nevojitet rishikimi i dispozitave dhe kritereve në fuqi për përzgjedhjen e kandidatëve në pozitat kyçe të vendimmarrjes universitare, të bëhet standardizimi i CV-ve zyrtare të stafit akademik të UP-së, etj.

Ditë më parë, ORCA bëri të ditur se Universiteti i Prishtinës avancoi katër profesorë, edhe pse ata nuk i plotësuan kriteret.

http://kallxo.com/orca-avancoi-4-profesore-pa-permbushur-kriteret/

Ndërsa, në mars të vitit të kaluar “Gazeta Jeta në Kosovë” shkroi për avancimin e profesorit Fevzi Berisha me punim të papublikuar.

Avancimi i Profesorit me Punim të Papublikuar

Kurse, në vitin 2014 “Gazeta Jeta në Kosovë” shkroi për gradimin e dyshimtë të pesë rektorëve të UP-së.

Gradimi i Dyshimtë në Profesorë i Pesë Dekanëve të UP-së

Redaktoi: Naser Sertolli