Hulumtim: Komuna e Familjes Rugova

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” sonte transmeton hulumtimin që tregon se si kryetari i Istogut, Haki Rugova, bashkë me vëllezërit e tij me kompaninë e tyre “Macon” kanë ndërtuar një objekt shtatëkatësh në tokën komunale dhe Komuna nuk ka asnjë metër katror të atij objekti në pronësi.

Të gjeturat nga hulumtimi, i cili do transmetohet sonte, tregojnë se në kohën e ndërtimit të këtij objekti në tokën komunale kryetari Haki Rugova mbante pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv në Komunën e Istogut.

Emisioni i sontëm ju sjell dëshmi nga deklarimi i pasurisë së kryetarit Rugova, i cili në Agjencinë Kundër Korrupsion deklaron aksionet në kompaninë “Macon”, ndërsa në intervistën dhënë për emisionin “Drejtësia në Kosovë” e mohon që ka aksione në këtë kompani që ndërtoi në tokën komunale.

Po ashtu, pjesë e hulumtimit janë edhe të gjeturat e tjera që tregojnë se Komuna që udhëhiqet nga kryetari Haki Rugova i ka dhënë tender kompanisë, në të cilën, sipas deklarimit të pasurisë, ka hise edhe vet kryetari.

Në fund të emisionit transmetohet rubrika e rregullt “Policia”, me pamje ekskluzive nga aksionet e Policisë në luftën kundër krimit.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” transmetohet çdo të premte në ora 22:20 në RTK dhe repriza të hënën në mesditë.

05 Maj 2017 - 18:27

Naim Krasniqi 05/05/2017 - 18:27
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend