Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës. Foto: Kallxo.com

Pezullohet Rritja e Pagës së Kryeministrit Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka quajtur vendimin e Agjencisë Kundër Korrupsionit për pagat të ndikuar politikisht.

“Vendimin e AKK-së, lidhur me nivelizimin e pagave, e vlerësoj të paqëndrueshëm dhe të ndikuar politikisht. Për këtë vendim kemi dorëzuar përgjigje të qartë dhe kjo është e njohur për opinionin”, ka shkruar Haradinaj në një postim në facebook.

Agjencia Kundër Korrupsionit e ka cilësuar të jashtëligjshëm vendimin për rritje të pagave nga ana e kabinetit qeveritar, të kryesuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj.

Në një opinion, Agjencia Kundër Korrupsionit, rekomandon që “vendimi të kthehet në rishqyrtim, duke shfrytëzuar mënyra tjera ligjore të cilat nuk bien ndesh me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe legjislacionin tjetër relevant në fuqi”. (REL)

Kryeministri Haradinaj ka thënë se ende nuk i kanë marrë pagat me rritje, pasi vendimi është pezulluar.

“Pas kërkesës së 30 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për vlerësimin e kushtetueshmërisë së vendimit për nivelizim të pagave, të marrë më 20 dhjetor nga Qeveria e Kosovës, kam vendosur që përkohësisht, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, ta kërkoj pezullimin e këtij vendimi”, ka shkruar Haradinaj.

Vendimi i Kryeministrit Haradinaj prodhonte efekte zinxhirore të rritjes së pagave në sistemin e drejtësisë, sepse në bazë të ligjit pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë të lidhura me pagat e të emëruarve politikë.

“Shqetësimi im dhe i Qeverisë është se ky pezullim godet më së shumti gjyqtarët dhe prokurorët, duke qenë se pagat e tyre janë të ndërlidhura drejtpërdrejt me vendimin për nivelizimin e pagave”, ka shkruar Harandinaj.

Ai këmbëngul në rritjen e pagave për gjyqtarë, që rrjedhimisht i bie edhe rritje të pagave për kryeministrin dhe ministrat.

“Pa marrë parasysh epilogun e kësaj çështjeje, ne do të përpiqemi që të gjejmë mënyrën për të siguruar përkrahjen e plotë për gjyqtarët dhe prokurorët në vend”, ka shkruar Haradinaj.

http://kallxo.com/qeveria-opinioni-kunder-rrogave-te-rritura-nuk-eshte-obligativ/