Komisioni për Punë të Jashtme - Foto: KALLXO.com

Hoxhaj: Rusia e Suspenduar, Momentum për Aplikim të Kosovës në Këshillin e Europës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka raportuar sot para Komisionit për Punë të Jashtme, ku ka folur për procedurën e aplikimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, që ai e quan “organizatën më të rëndësishme për Kosovën”.

Hoxhaj tha se kjo është situatë e favorshme gjeopolitike për aplikimin e Kosovës në KE, ngase siç u shpreh ai, kundërshtari strategjik, Rusia, është e suspenduar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës dhe se mund të ndodhë që të suspendohet edhe nga KE, për shkak të rastit të Krimesë.

“Ne mund të bëhemi pjesë edhe për shkak të një mbështetjeje të madhe nga shtetet anëtare. Janë 34 shtet nga 47 që janë pro anëtarësimit te Kosovës, e nga 5 vendet që nuk na kanë njohtë Kosovën 3 deri në 4 ma kanë konfirmuar mua që do të votonin për anëtarësim edhe pse nuk e kanë njohur Kosovën”, ka thënë Hoxhaj.

Por, nënkryetarja e Kuvendit, Aida Dërguti tha se Rusia nuk duhet injoruar ngase influenca e saj është aty edhe nëse nuk është prezente sepse votimi i shumë shteteve tjera varet nga Rusia.

Tutje Dërguti shtoi se është e rëndësishme edhe kush është në shërbim diplomatik në Bruksel, por edhe në disa qytete tjera strategjike si Strasburg e Uashington, ngase misioni i konsullit përfundon në mars dhe nuk duhet të caktohet, siç tha ai, njeri joprofesional e me pazare politike.

E kur u pyet nga kryetarja e Komisionit Vjosa Osmani dhe deputeti Dukagjin Gorani, nëse iniciativa për shfuqizimin e Speciales do të ndikojë në këtë çështje, Hoxhaj nuk dha përgjigje konkrete.

“Në politikë dhe në politike të jashtme çdo ditë është e re, ka një momentum që mund dhe duhet të shfrytëzohet”. Por, deputeti Gorani insistoi në përgjigje.

“Nuk e di çka është qëndrimi për Gjykatë Speciale, por e di çfarë po ndodhë në Këshill të Europës”, tha ai.

Ndërsa kryetarja e Komisionit, Vjosa Osmani tha se meqë raporti i Dick Martyt ka dalë pikërisht nga Këshilli i Europës, iniciativa për shfuqizimin e Speciales mund të ketë ndikim.

“Nuk e di çfarë u thonë juve në asamble, por neve na thonë që kjo do të ketë ndikim”, tha ajo.

Për të arritur suksese në këtë proces, Hoxhaj tha se është i domosdoshëm që të ngritet niveli i bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit, Presidencës dhe Qeverisë së Kosovës dhe se përfaqësuesit e këtyre institucioneve, duhet të formojnë një grup të përbashkët dhe të hartojnë një strategji unike të lobimit, të cilën e kërkuan edhe deputetët.

Hoxhaj tha se procesi i anëtarësimit në KE, bazuar në praktikat e gjertanishme zgjat përafërsisht dy vjet nga dita e aplikimit. Ne, tha ai, gjatë këtij viti do të aplikojmë për anëtarësim në këtë institucion, ndërkaq, anëtarësimi i plotë i vendit tonë pritet që të ndodhë në vitin 2020, atëherë kur kryesimin e KE-së do ta ketë Gjermania.