Enver Hoxhaj

Hoxhaj Parlajmëron Tri Njohje të Reja

Nga takimet gjatë zhvillimeve të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ministri Enver Hoxhaj pret tri njohje të reja.

Tri njohjet që pritet t’i vijnë Kosovës deri në fund të këtij viti, i bëri të ditura Ministria e Punëve të Jashtme me anë të një komunikate.

Në komunikatë thuhet se ministri Hoxha gjatë punimeve të asamblesë së OKB-së zhvilloi 76 takime me zyrtarë të shteteve të ndryshme, gjysma të cilave me përfaqësues të shteteve që ende nuk na kanë njohur.

“Mund t’ju them se deri në fund të këtij viti do të jenë tri vende që do ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe disa nga këto vende do të kenë peshë të veçantë me njohjet që do t’i shpallim javëve apo muajve në vijim,” tha Hoxhaj sipas komunikatës.

Njohja e fundit Kosovës i erdhi nga shteti i Amerikës Latine Suriname më 22 korrik.

Komunikata njofton se Hoxhaj i ka shfrytëzuar punimet e asamblesë së OKB-së edhe për të forcuar marrëdhëniet me shtetet që na kanë njohur.

“Është bërë nënshkrimi i marrëveshjes për marrëdhënie diplomatike me Gambinë, Malavin dhe me Bregun e Fildishtë. Ndërkohë kemi arritur të sigurojmë mbështetje nga Kolumbia, Omani, Jemeni, Samoa dhe Toga për të nënshkruar marrëveshje të marrëdhënieve diplomatike gjatë dy muajve të ardhshëm,” thuhet në komunikatë.

Përveç kërkimit për njohje të reja dhe forcimit të marrëdhënie me shtetet që na kanë njohur, komunikata e MPJ-së bën me dije se Hoxhaj është angazhuar edhe për sigurimin e përkrahjes së shteteve të ndryshme për liberalizim vizash dhe anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare.