Hapja e zyrës rajonale për të rinjtë | Foto: KALLXO.com

Hoxhaj Kujton Studimet gjatë Hapjes së Zyrës për të Rinjtë

Në Qendrën e Studentëve u hap Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor në Kosovë, ndërsa i pranishëm në këtë hapje, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj kujtoi kohën kur studionte dhe banonte në konviktin numër 1 bashkë me Hashim Thaçin, tash president.

Hoxhaj premtoi përkrahje të zyrës për bashkëpunim rinor nga qeveria.

“Dua që të zotohem që kjo zyrë në Prishtinë dhe ajo në Tiranë do të kenë suportin e plotë nga ana e qeverisë për atë që kemi mundësi të bëjmë”, tha Hoxhaj.

Ndërsa Kujtim Gashi, ministër i Kulturës Rinisë dhe Sportit tha se iniciativa për themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim të të rinjve në Ballkanin Perëndimor ka filluar në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme në Tiranë në maj të vitit 2015.

“Vizioni i kësaj zyre është të mbështesë një rajon me diversitet në të cilin të rinjtë si grupi më i madh për të investuar në të ardhmen, janë të ndërgjegjshëm dhe ndër të tjera luajnë një rol aktiv në ndërmjetësimin e një të ardhme të begatë për shoqërinë e tyre”, deklaroi Gashi.

Ndërsa Arijanit Jashari, përfaqësues i të rinjve në Bordin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor tha së të rinjtë në Kosovë janë ambasadorët më të mirë për përfaqësim dhe me hapjen e kësaj zyre do të ketë bashkëpunim dhe do të bëhen ndryshime nga të rinjtë.

Pjesë e kësaj hapjeje ishin edhe ambasadorë të shteteve të ndryshme në Kosovë.

Më 8 dhjetor Bordi Drejtues i Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO) u takua për takimin e saj të parë në Tiranë. RYCO do të lehtësojë dhe mbështesë projektet e shkëmbimit të të rinjve brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ky është rezultat i Procesit të Berlinit pas një serie konferencash të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që u iniciua nga Gjermania.