Enver Hoxhaj raporton në Komisionin për Punë të Jashtme | Foto: KALLXO.com

Hoxhaj: E Dinim se do të Vinte Treni

Derisa raportoi para Komisionit për Punë të Jashtme, ministri enver Hoxhaj tha se institucionet kosovare kishin informacione për treni me simbole nacionaliste serbe që u nis nga Beogradi drejt Mitrovicës Veriore më 14 janar.

“Ne kemi pasur informacione 4 javë më herët rreth skenarit të trenit dhe 3 javë më herët ne e kemi ditur se si do të reagojmë për këtë rast,” tha Hoxhaj.

Ministri i Punëve të Jashtme gjatë raportimit në komision tha se Serbia veprime të ngjashme si kjo me treni bëri kohëve të fundit edhe ndaj shteteve tjera fqinje.

“Këto ngjarje nuk duhet parë vetëm në raportin Kosovë-Serbi. Serbia ka hapur provokime edhe me shtet tjera të Ballkanit,” tha ministri Hoxhaj, duke përmendur mes tjerash tentim-puçin në Mal të Zi dhe referendumin për ditën e shtetësisë së Republikës Serbe në Bosnjë.

Hoxhaj u tha anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme se pret edhe provokime tjera të Serbisë ndaj Kosovës.

“Në Serbi mbahen zgjedhjet presidenciale, kandidatët do te propozohen deri më 15 shkurt, mund të jetë përsëri Nikoliq ose Vuçiq, andaj ne mendojmë se mund te ndodhë edhe ndonjë provokim deri sa të shpallen kandidatët,” tha Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm e konsideroi shqetësues blerjen e armatimit që po bën Serbia në Rusi e Bjellorusi.

Hoxhaj foli edhe për veprimet që i ka ndërmarrë pas ndalimit të Ramush Haradinajt në Francë më 4 janar me fletarrestim të INTERPOL-it të lëshuar nga Serbia.

“Unë kam shkuar në Francë që ta tematizoj çështjen e keqpërdorimit të INTERPOL-it nga Serbia tek një shtet i fuqishëm si Franca,” tha Hoxhaj.

Por anëtari i komisionit Pal Lekaj tha se për fletarrestimet e Serbisë stetet evropiane është dashur të njoftoheshin para arrestimit të Haradinajt.

“Ne jemi të vetëdijshëm për INTERPOL-in, është fakt që Serbia po e keqpërdor INTERPOL-in. Por pse duhet që të merremi me pastrim të listave, veç pasi që të ballafaqohemi me situata të tilla,” tha Pal Lekaj.

Sot në Komisionin për Punë të Jashtme raportoi edhe ministrja për Dialog Edita Tahiri.

http://kallxo.com/tahiri-serbia-provoi-te-shfrytezoje-ndryshimet-ne-shba/