Enver Hoxhaj | Foto: KALLXO.com

Hoxhaj: Bota e Ka Pranuar Realitetin e Kosovës së Pavarur

Zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj i është gëzuar njohjes nga Madagaskari.

“Një lajm jashtëzakonisht i mirë njohja nga Madagaskari, në prag të shënimit të 10 vjetorit të pavarësisë, e cila erdhi si rezultat i punës së madhe disa vjeçare të stafit të Ministrisë së Jashtme”, shkroi ish-ministri i Jashtëm i Kosovës në Facebook.

Ai deklaroi se njohja e ardhur sot dëshmon se bota e ka pranuar realitetin e Kosovës së pavarur.

“Kjo njohje vjen pikërisht në kohën e duhur për të dëshmuar se pavarësia e Kosovës është realitet i pakthyeshëm, dhe se pavarësisht përpjekjeve të Serbisë për ta dëmtuar Kosovën ndërkombëtarisht, bota tashmë e ka pranuar realitetin e ri dhe Kosovën e pavarur. Urime”, shkroi Hoxhaj.

Edhe deputeti Ilir Deda, njohjen e sotme e cilësoi “goditje e fortë strategjisë së Qeverisë së Serbisë për sfidimin e pavarësisë së Kosovës”.

KALLXO.com shkroi sot për njohjen e Kosovës nga Madagaskari.