Takimi për rishikimin e sektorit të sundimit të ligjit | Foto: KALLXO.com

Hoxha Përmend Milionat e Derdhur për Sundim të Ligjit

Dhurata Hoxha në takimin për Rishikimin Funksional të Sundimit të Ligjit tha se që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 janë dhënë shumë para për ndërtimin e sistemit të drejtësisë.

“Që nga viti 1999 e deri më sot janë derdhur miliona euro e dollarë për ndërtimin dhe funksionalizimin e sistemit të drejtësisë dhe të sundimit të ligjit në Kosovë”, tha Hoxha.

Ajo përmendi edhe raportet  e progresit, duke shtuar se bazë të tyre sundimi i ligjit në Kosovë është ende i dobët dhe në shumë aspekte jofunksional.

Ministrja Hoxha tregoi edhe çfarë duhet të bëhet për ta kthyer besimin në sistemin e drejtësisë.

“Nëse duam që qytetarët tanë të kenë besim në institucionet e drejtësisë dhe të ketë sundim të ligjit, gjykatat, prokuroritë e shtetit, këshilli prokurorial, dhe Ministria e Drejtësisë duhet të jenë transparente, efikase dhe llogaridhënëse”, tha Hoxha.

Ambasadori amerikan Greg Delawie tregoi se çfarë rezultate do të sjellë rishikimi i sistemit të sundimit të ligjit.

“Ky rishikim do të ju ndihmojë në racionalizimin në sistemin e sundimit të ligjit, do të përkufizojë prioritet e qarta drejt përqendrimit të reformave të sistemit të drejtësisë dhe do ta bëjë atë më efektiv”, tha Delawie.

Ndërsa shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Natalya Apostolova tha se tashmë janë identifikuar dobësitë e sistemit të drejtësisë.

“Shumica e problemeve në sektorin e sundimit të ligjit janë identifikuar dhe ato përfshijnë qasje të dobët në drejtësi”, tha Apostolova.

Kryeministri Mustafa sundimin e ligjit e konsideroi prioritet të qeverisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës si qeveri e koalicionit ndër shtyllat kryesore ka  konsideruar sundimin e ligjit dhe shtetin ligjor me të cilin konsiderojmë se do ta zhvillojmë në dobi edhe në shërbim të qytetarëve të Kosovës”, tha Mustafa.

KALLXO.com në fillim të këtij viti raportoi se gjatë 2016-ës në Kosovë dënimet për korrupsion ishin të zbehta dhe të lehta.

Dënimet 2016: ’Ledhatimi’ i Korrupsionit!