Hoxha: 174 Milionë Euro Donacione në 2016-ën

Ministrja e Integrimit Europian Dhurata Hoxha tha se në vitin 2016 Kosovës i janë dhënë afër 174 milionë euro donacione.

Ajo në mbledhjen e qeverisë ka prezantuar Raportin Vjetor mbi Aktivitetin e Donatorëve për vitin e kaluar, ku shuma totale tha së është 173,622 milionë euro.

“Donatori më i madh është Bashkimi Europian me mbi 61 milionë euro. Donatorët tjerë të mëdhenj bilateral janë Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar me 33,6 milionë euro, Gjermania me 19,6 milionë dhe Zvicra me 15,4 milionë euro”, tha Hoxha.

Sipas raportit, sektori që ka pranuar më së shumti fonde është ai i qeverisjes dhe shoqërisë civile me 57 milionë euro, ose 30 për qind e gjithë asistencës zhvillimore të ofruar për Kosovën në vitin 2016.

Sektorët tjerë që kanë pranuar asistencë të konsiderueshme përfshijnë ujin dhe kanalizimin me 24 milion euro, Arsimi me 17.6 milion euro, ndërsa infrastruktura dhe shërbimet tjera sociale u mbështetën me 10 milionë euro dhe biznesi dhe shërbimet të tjera me 9.5 milionë euro.

Po ashtu, përkrahja financiare është bërë edhe në komuna. Fondet e përgjithshme të alokuara për 38 komunat e Kosovës ka arritur shumën 52.7 milionë euro.

Duke u ndërlidhur me çështjen e donacioneve zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj kërkoi debat për to.

“Duhet ta kemi një debat se kah duhet të orientohen donacionet. Disa donatorë sillen në raport me Kosovën ende si me qenë në kohën e UNMIK-ut a në mbikëqyrjen ndërkombëtare”, tha Hoxhaj.

Ai deklaroi se donacionet duhet të orientohen drejt zhvillimit ekonomik.

T’i reflektojnë prioritetet e qeverisë, duhet të lëvizim përtej të drejtave të njeriut e demokracisë, më shumë drejt zhvillimit ekonomik. Nuk jemi në 2007-ën, por në 2017-ën. Na duhet debat ku t’i orientojmë këto për vitin 2018, na thirrni dhe e diskutojmë”, tha Enver Hoxhaj.