Avdullah Hoti | Foto: KALLXO.com

Hoti: Zgjedhjet e reja të paevitueshme

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti njoftoi se është zhvilluar tryeza e dytë e partive politike, këtë herë e organizuar nga PDK-ja.

Takime të tilla të subjekteve politike nisën nga LDK-ja, ndërsa më pas u vendos që tryezat e tilla të organizohen nga partitë me rotacion.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se ekziston vullneti politik te të gjitha partitë, duke përfshirë edhe ato në koalicionin qeverisës që të arrihet konsensus për adresimin e temave të rëndësisë nacionale.

Sipas tij, koalicioni qeverisës nuk e ka shumicën e nevojshme parlamentare për të marrë vendimet më të thjeshta.

“Nuk mund të lejojmë qe vendi të udhëhiqet nga pakica parlamentare, sepse është kundër rregullave të demokracisë”, shkroi ai.

Hoti tha se zgjedhjet e reja janë të paevitueshme.

“Sa më shumë qe zgjatet kjo krizë institucionale me qeveri të pakicës, dëmet për demokracinë tonë të re dhe shoqërinë e ekonominë e Kosovës janë më të mëdha”, përfundoi ai.

Që nga koha kur Lista Serbe u tërhoq nga Qeveria, LDK-ja ka kërkuar marrëveshje për caktim të datës së zgjedhjeve të reja.

KALLXO.com shkroi për tryezën e organizuar nga LDK-ja më 25 prill.

Tryeza e LDK-së – e butë, ‘nuk’ diskutohet shkuarja në zgjedhje