Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së. Foto: Facebook

Hoti Premton Trefishimin e Subvencioneve në Bujqësi

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, gjatë një takimi në Rahovec me fermerë, ka premtuar se qeveria e tij do të trefishojë buxhetin nga janari i vitit 2018 për subvencionet në bujqësi dhe do të dyfishojë tokat që ujiten nga sistemi i Radoniqit.

“Programi i LDK-së dhe partnerëve të koalicionit në fushën e bujqësisë përbëhet nga tri shtylla kryesore. Pika e parë do ta trefishojmë buxhetin për subvencionim të sektorit të bujqësisë. Do të subvencionojmë të gjitha sipërfaqet bujqësore, të gjitha kulturat bujqësore dhe do ta ndërrojmë modelin e subvencionimit, duke i subvencionuar fillimisht sipërfaqet që mbillen dhe më pas edhe prodhimtarinë bujqësore”, tha Hoti.

Sipas Hotit synimi i qeverisjes së tij është që tokat të prodhojnë më shumë produkte.

“Në fillim të vitit do të merrni subvencionet, para se të fillojë sezona e bujqësisë, në mënyrë që fermerët të kenë mjete për të blerë farën dhe inputet tjera të bujqësisë me kohë. Në fund të sezonës do të subvencionojmë prodhimtarinë bujqësore”, ka thënë Hoti.

Hoti premtoi edhe mjete bujqësore për fermerët.

“Ne do t’i blejmë pajisjet bujqësore nëpërmes granteve dhe do t’ua shpërndajmë fermerëve varësisht nga nevojat që kanë. Në dy vitet e para të qeverisjes do ta zëvendësojmë makinerinë që përdoret për prodhim”, shtoi ai.

Ai gjatë këtij takimi u kumtoi një lajm bujqve.

“Sot e kemi marrë një lajm të mirë nga Banka Botërore, është aprovuar Strategjia për Kosovën, në të cilën kemi punuar shumë në Ministrinë e Financave. Strategjia parasheh financimin e 210 milionë euro në pesë vitet e ardhshme për ta ndihmuar Kosovën. Pjesa më e madhe e kësaj shume shkon në sektorin e bujqësisë”, shtoi Hoti.

Në fund Hoti ka thënë se ka nënshkruar një marrëveshje për të rekonstruktuar rrjetin ekzistues prej 10 mijë hektarëve tokë të ujitur nga Radoniqi.

“Kam nënshkruar marrëveshje për të rekonstruktuar komplet rrjetin ekzistues prej 10 mijë hektarë tokë nga Radoniqi, të cilat aktualisht vetëm 5 mijë janë të shfrytëzueshme. Në shtator fillon riparimi i sistemit të ujitjes ndërsa vitin tjetër do të dyfishohen tokat në sistemin e ujitjes”, ka thënë Hoti.